E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemia e shekullit, 700 mijë vetë vuajnë nga Hipertensioni

Mjekët specialistë: Hipertensioni, një nga sëmundjet kryesore në vend  
Sëmundja e Hipertensionit duket se ka gjetur terren të "bollshëm" në vendin tonë, ku aktualisht rreth 700 mijë njerëz vuajnë nga problemet e kësaj sëmundjeje. Mjekët specialistë e renditin Hipertensionin si një ndër sëmundjet më kryesore në vend. "Kjo shifër kap mbi 25-30 % të popullsisë adulte mbi 18 vjeç", pohojnë mjekët specialistë, të cilët vlerësojnë se sëmundja e Hipertensionit është një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragjitë celebrale, dëmtime të veshkave. Sipas tyre, nisur nga kostoja e madhe shëndetësore për të sëmurët, mjekët janë të detyruar që ta njohin sa më mirë, me qëllim pakësimin dhe frenimin e kësaj epidemie të shekullit. Ndërkaq, për parandalimin e Hipertensionit, mjekët rekomandojnë jetesë të shëndetshme, mospërdorimin e ushqimeve me yndyrna, bërjen e një jete sa më aktive, uljen e peshës së tepërt dhe në rastet e nevojshme marrjen e medikamenteve që duhen përdorur në mënyrë të rregullt.  "Hipertensioni Arterial konsiderohet vrasësi i parë, krahasuar me të gjitha sëmundjet e tjera dhe numri më i madh i personave që vdesin kanë në më të shumtën e rasteve si shkak hipertensionin arterial. Duke qenë se mjekimi i tij është detyrë e mjekut të përgjithshëm, kualifikimi i tyre është problem i përhershëm", konsiderojnë mjekët specialistë. Ndërsa në rang botëror, njihen 10 milionë të sëmurë me Hipertension Arterial, prej të cilëve mjekohen vetëm 5 milionë. Rreth 50% e të sëmurëve nuk kanë asnjë ankesë dhe e kuptojnë sëmundjen kur ndodh fatkeqësia (infarkti i zemrës, insulti cerebral etj). Në grup-moshat 60- vjeçare, në çdo 3 persona, 2 prej tyre janë me hipertension.
Ç' është hipertensioni  
Tensioni i lartë ose sistolik është presioni që krijohet në arterie nga forca e pompës së zemrës, ndërsa tensioni i vogël ose diastolik (që gabimisht nga njerëzit emërtohet si tension i zemrës), është rezistenca e arteries gjatë furnizimit të zemrës me gjak. Presioni i gjakut ndryshon çdo minutë nga pozicioni i trupit, aktiviteti fizik, gjatë kohës kur flemë, ose kur jemi zgjuar. Hipertension quhen vlerat e tensionit që krijohen kur presioni i gjakut në arterie (enë me gjak të pastër) është mbi normën e lejuar. Në 95% të rasteve nuk dihen shkaqet dhe flitet vetëm për rreziqet e hipertensionit. Të sëmurët në përgjithësi janë të grup-moshës së mesme, me trashëgimi gjenetike, me mbipeshë, diabet, që kanë stres fizik, ose psikik të përditshëm, që janë përdorues të duhanit, konsumues të tepërt të kripës dhe alkoolit, që bëjnë një jetë sedentare (pa ushtrime fizike). Në shumicën e rasteve, nuk ka shenja shqetësuese për vite me radhë të hipertensionit, ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Rritja e tensionit bëhet gradualisht dhe i lë kohë trupit të njeriut të adaptohet me këtë gjendje. Shenjat dhe shqetësimet mund të jenë dhimbje koke, apo qafe, ndjenjë djegieje, skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë, shtypje, apo dhimbje gjoksi, nevojë dhe pamundësi për tu mbushur me frymë, etj. Mjekët këshillojnë që çdo person që ndjen përgjithësisht këto shqetësime duhet të konsultohet me mjekët specialistë, pasi në rast se nuk merren masat e nevojshme, atëherë sëmundja avragon duke kaluar në pasoja të tjera, siç janë infarkti i zemrës, insulti cerebral etj

Email This Klikime: 17

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›