Studentët i bashkohen protestës kundër ratifikimit të marrëveshjes

Studentët e Universitetit Publik të Prishtinës, Studentët e Ulqinit, Klubi Politik i Studentëve, Lëvizja për Barazi Studim Kritikë Veprim, nëpërmjet një komunikate kanë bërë thirrje që të enjten, të gjithë së bashku të protestojnë kundër ratifikimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi.
Në komunikatë thuhet:
Sot populli shqiptar me të drejtë deklaron se të gjitha i kanë në dorë ndërkombëtarët, dhe se këta “tanët” nuk kanë ç’të bëjnë tjetër! Këta njerëz që negociuan parimet themelore të përpjekjeve të popullit tonë për liri e pavarësi në 23 shkurt të vitit 1999 në konferencën e Rambujesë, nuk kishin si të mos lëshonin pe edhe në negociatat e Vjenës dhe tash me vetë Serbinë.
Kjo është thjeshtë pasojë e thyerjes së parimeve qysh në fillim. Prandaj, nuk ka mundësi që këto marrëveshje të jenë në të mirë të Kosovës, madje siç na thuhet dhe as për të dyja palët. Përfitmi është i njëanshëm, pra vetëm Serbia është duke fituar (për shkak se BE-ja po ngutet për ta “futur” në “gjirin” e vet Serbinë, po ashtu për hesap të vetin, dhe sikundër prapë kusuri jemi ne, Republika e Kosovës, populli i saj).
Por populli po ashtu po deklaron se këto nuk ishin idealet tona, dhe nuk kemi se si ndjekim një rrugë e cila nuk përbën në asnjë masë vullnetin tonë. Kamuflimi i aspiratave tona, po që ka qenë i rafinuar, qoftë nga vendorët a ndërkombëtarët nën premisat e rreme të shtetit qytetar, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, komuniteteve (kujtoni këtu pabarazinë në të mes komuniteteve, ku serbët janë të privilegjuarit, standardet e dyfishta, autonomia e dhënë nga marrëveshja Thaçi-Daçiq; të cilën qeveria po insiston sa më shpejt ta ratifikojë).
Populli ynë çdo ditë ankohet për padrejtësi, papunësi, thërret për vetëdije të udhëheqësve. Por tashmë, nuk ka mbetur fije shprese në këtë klasë banditësh të korruptuar. Populli thërret për zgjim të gjithëmbarshëm, thërret për demonstrim të vullnetit të vet. Dhe ne si studentë patjetër që e dëgjojmë këtë thirrje!
Andaj, ne, studentët e këtij vendi, të cilët angazhohemi për emancipim të shoqërisë mbarë, thërrasim për organizim gjjithpopullor si dikur, në mënyrë që të pamundësojmë të keqen përfundimtare e cila po na kanoset, pra, ratifikimi i Marrëveshjes me Serbinë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila Marrëveshje e zhbënë lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ratifikimi i marrëveshjes pritet të ndodhë të enjten në 27 qershor 2013.
Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje sa më masive në këtë protestë ; çdonjëri prej nesh tashmë e ka për obligim këtë gjë, është përpjekja e brezave të tërë që na thërret!./Indeksonline./