E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobësimi i lekut, Fullani: Nuk ka vend për panik

Në ditën më negative të lekut, guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvillon një takim me përfaqësuesit e zyrave të këmbimit. Rastësia bëri të mundur, që veç problemeve që has sektori i këmbimit të valutës, të flitet edhe për temën e ditës: Dobësimin e lekut. Në të tilla raste, pozicioni i agjencive të këmbimit valutor është tepër e rëndësishme në përcjelljen e mesazhit në drejtim të biznesit. Për guvernatorin Ardian Fullani, dobësimi i lekut ndaj dy monedhave euro dhe dollar, nuk duhet të transmetohet te publiku me panik nga ana e kambistëve. Në takimin e zhvilluar dje në ambientet e BSH-së, u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në ekonominë shqiptare, çështjeve që lidhen me funksionimin më të mirë të tregut financiar dhe rolin e aktorëve të këmbimit valutor në këtë treg.

Apeli

Duke vlerësuar tregun e këmbimeve valutore si më të zhvilluarin në vend, Fullani theksoi se zyrat e këmbimit valutor kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin dhe ecurinë e tij. Që prej vitit 2000, numri i subjekteve që kryejnë veprimtarinë e këmbimit valutor është dhjetëfishuar dhe se Banka e Shqipërisë ka miratuar 227 licenca për zyra të këmbimit valutor, me një shtrirje territoriale gjithëpërfshirëse. Ndërmjetësimi financiar ka ardhur në rritje duke mundësuar kalimin gjithnjë e më efektiv të fondeve të lira në drejtim të financimit të nevojave të ekonomisë. "Në këtë këndvështrim, gjykoj se edhe segmenti që ju përfaqësoni ka luajtur rolin e tij të rëndësishëm. Për shumë vite me radhë jemi munduar të transferojmë aktivitetin e këmbimeve valutore nga kanalet informale në ato formale. Ky proces ka pasur zigzaget e veta", iu tha kreu i BSH-së kambistëve. Rritja e aktivitetit të tregut valutor erdhi pas miratimit të rregullave të reja nga ana e BSH-së në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, me synim uljen e informalitetit dhe forcimin e mbikëqyrjes të transaksioneve monetare. Kësisoj, shqetësimi i BSH-së nuk lidhet vetëm me anën infomale të tregut sesa rreziku i pastrimit të parave. Për këtë qëllim, Fullani bëri edhe një herë apel për më shumë transparencë nga ana e zyrave të këmbimit valutor. "Do të mirëprisja mendimet tuaja edhe për çështje të tjera që lidhen me raportimet në Bankën e Shqipërisë apo zbatimin e ligjit për pastrimin e parave", tha Fullani. Banka e Shqipërisë e sheh rolin e tregut valutor si ndërmjetëse e rëndësishme midis veprimtarisë në cash dhe asaj që zhvillohet në sistemin bankar. "Në këtë aspekt, nuk do të lija pa përmendur edhe detyrimin që ju keni, në drejtim të zbatimit me rigorozitet të ligjit për pastrimin e parave", nënvizoi guvernatori.

Kursi

Në vendin tonë zbatohet regjimi fleksibël i kursit të këmbimit, që do të thotë se janë forcat e tregut ato që përcaktojnë nivelin e tij. Liberalizimi i tregut të këmbimit ka ndihmuar që në këtë çmim, të reflektohet në mënyrë të vazhdueshme kërkesa dhe oferta për këtë mall, duke mënjanuar rrezikun e mospërputhjes së çmimit me kushtet e tregut në përgjithësi, si dhe me kushtet makroekonomike në vend. Edhe në këtë aspekt, Fullani ka kërkuar raportime nga zyrat e këmbimit në lidhje me funksionimin e tregut, ndryshimet pozitive apo negative që kanë ndodhur në vitet e fundit, marrëdhëniet e zyrave të këmbimit me bankat e nivelit të dytë brenda kuadrit të konkurrencës dhe përfitimit të dyanshëm. "Si hap i parë në këtë drejtim, mendojmë të trajtohen veprimet "forward" (përcjellëse)të cilat do t‘i shërbejnë më mirë zbutjes së efekteve sezonale të sjelljes së kursit të këmbimit, si dhe mbrojtjes ndaj lëvizjeve të padëshiruara të kursit të këmbimit", shtoi kreu i BSH-së. Duke folur për situatën ekonomike, guvernatori i BSH-së, kërkoi nga kambistët me shumë kujdes në përcjelljen e informacionit, pasi efektet psikologjike në ecurinë e kursit të këmbimit janë një faktor tejet i rëndësishëm. Duke marrë shkas nga kriza botërore aktuale dhe duke vlerësuar pozicionin e tregut valutor, për të gjeneruar informacion si nga bizneset ashtu edhe nga publiku në përgjithësi, Fullani tha se, "BSH do të ishte e interesuar për opinionet tuaja, madje do të mirëpriste sugjerimet tuaja për forma të mundshme të gjenerimit të këtyre opinioneve në mënyrë periodike".

Ecuria e lekut

Leku vazhdon të dobësohet ndaj monedhave të tjera në tregun valutor. Një euro është këmbyer dje në agjencitë e këmbimit me 126.8 lekë në blerje dhe 127.4 lekë në shitje, një nga nivelet më të larta të viteve të fundit. Ndërsa bankat kanë kurse të tjera. Ato blejnë euro me rreth 125 lekë, por e shesin atë me mbi 128 lekë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›