E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët nën vëzhgimin e kamerave

 Pesëdhjetedy kamera janë vendosur në konviktet e Qendrës së Studentëve (QS). Deri më tash konviktet e kësaj qendre kanë qenë vetëm nën kujdesin e stafit të sigurisë, pjesëtarëve të të cilit i ka munguar incizimi për ndonjë incident të rastit, e që do të çonte në identifikimin e personit përgjegjës.

Edhe pse sipas të dhënave të kësaj qendre numri i studentëve problematikë po bie dhe vetëdijesimi i studentëve ka shënuar ngritje, llogaritur me numrin e banorëve të QS-së që arrin deri në 3700 studentë nuk mund të përjashtohet si mundësi edhe ndonjë përplasje ndërmjet studentëve.

Vendimi për vendosje të kamerave është marrë nga drejtoria e kësaj qendre duke u thirrur në rritjen e sigurisë për studentët si dhe rritje të përgjegjshmërisë të punës së stafit. Investimi është bërë me mjete vetanake në vlerë prej 30 mijë euro.

Drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta, ka thënë për “Zërin” se vendimi për vendosjen e kamerave është marrë në fillim të vitit kur është bërë edhe planifikimi buxhetor.

“Vendimi është marrë si pasojë e asaj që e kemi parë të nevojshme që të rritet siguria në Qendrën e Studentëve dhe kemi ardhur në përfundim që me vendosjen e sistemit të monitorimit me kamera do të ketë reflektim në rritjen e sigurisë për studentët si dhe rritje të përgjegjshmërisë të stafit ndaj punës së vet që e kanë në qendër”. Ai ka bërë të ditur se projekti ka filluar të zbatohet para një muaji dhe ka hyrë në funksion javën e kaluar.

“Ende jemi në fazën e testimit, puna është duke shkuar mirë. Ky investim është bërë vetëm me mjete të qendrës, ka kushtuar rreth 30 mijë euro. Ishte i përballueshëm sepse kemi bërë planifikimin buxhetor dhe mendoj që ia vlen si projekt”, ka thënë Sfishta duke sqaruar se numri i vendosur i kamerave është 52, pa llogaritur mensën, në të cilën kamerat janë vendosur më herët.

Këto kamera, ai tha se janë të vendosura në pjesën e konvikteve, drejtori dhe palestrën sportive.
“Janë të vendosura kryesisht në hyrje të konvikteve, në hyrje të korridoreve të konvikteve përreth çdo konvikti dhe në hapësira tjera në oborr të konvikteve, ku janë të vendosura nëpër shtylla. Çdo kamerë e sheh një tjetër dhe nuk mund të dëmtohet ose të prishet”.

Sfishta ka thënë se kamerat e vendosura nuk cenojnë privatësinë e studentëve, madje stafi është urdhëruar që të bisedojë me studentët që ky projekt është në favorin e tyre (studentëve). “Kemi edhe obligim ligjor që të njoftojmë studentët përmes shenjave identifikuese, për t’iu treguar që hapësirat vëzhgohen nga kamerat. Kryesisht studentët kanë pasur brenga mos po preket privatësia e tyre. Ne i kemi siguruar ata që privatësia e studentit në asnjë formë nuk do të shkelet. I garantoj që ato pamje që merren nga ato kamera menaxhohen nga një staf që është shumë i përgjegjshëm, kurse si pamje ato janë të ekspozuara në ekrane në sigurim, që është sektor kompetent për siguri”.

Pas kësaj, ai ka theksuar se pret rritjen e sigurisë për studentët banues në qendër. “Kjo hapësirë monitorohet nga kamerat edhe ata keqbërës që kanë qëllime të këqija mendohen dy herë ose nuk e bëjnë fare. Gjithashtu edhe tek stafi që punojnë në qendër do të ketë ndikim pozitiv sepse do të rritet angazhimi i tyre në punë”.

Sfishta duke folur sipas statistikave të qendrës thekson se në QS gjatë një viti jetojnë 3 mijë e 700 studentë dhe ushqehen në ditë rreth 5 deri në 7 mijë studentë, prandaj nuk mohon se mund të ketë probleme. Por, thotë se numri i problemeve ka rënë shumë nga vitet e kaluara, si pasojë e rritjes së kontrollit nga ana e stafit dhe rritjes së vetëdijes nga ana e studentëve.

Tash, sipas tij, problemet kanë rënë në masën e natyrave të vogla si ndonjë vjedhje të ndryshme, rrahje eventuale mes tyre, dhe jo probleme të mëdha. Qendra ka dhe rregulloret që sanksionojnë veprimet jo ligjore dhe të dëmshme për banorët. E, në rast se shkelen rregulloret prej studentëve, varësisht nga shkalla e shkeljes merren edhe masa ndaj studentëve, ndërsa në rastet kur shkeljet përsëriten vjen edhe deri tek përjashtimi i studentit./Indekosline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›