E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në QSUT, zhduken dokumentat

Planifikimet e shefave të shërbimeve për barna dhe materiale mjekësore janë zhdukur. Kështu shefat e pavijoneve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë habitur kur drejtoresha aktuale e këtij spitali u ka kërkuar që të sjellin planifikimet për vitin 2009. Sipas shefave të shërbimeve këto planifikime i kishin dorëzuar kur ishte ish-drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, por sipas tyre drejtoresha aktuale nuk ka gjetur asnjë nga dokumentet zyrtare të shefave të shërbimeve.

Shefat e shërbimeve

Në një mbledhje të zhvilluar vetëm 5 ditë më parë me shefat e shërbimeve drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli u ka kërkuar shefave të shërbimeve të dorëzojnë planifikimet për vitin 2009. “Në fakt u habitëm me këtë kërkesë pasi këto planifikime i kemi dorëzuar në drejtori pak kohë më parë dhe pikërisht kur në krye të saj ishte Mati Pepa. Por drejtoresha na tha se nuk ka gjetur asnjë nga shkresat e këtyre planifikimeve, ndaj jemi të detyruar t’i bëjmë përsëri dhe t’i dorëzojmë sa më shpejt”,- pohon njëri nga shefat e shërbimit, i cili e sheh si të pamoralshëm faktin që shpresat e tyre janë zhdukur nga ish drejtuesit.

Ndërkohë shefat e shërbimeve shpjegojnë se planifikimet për medikamente dhe materiale konsumi bëhen çdo vit nga ta dhe në bazë të këtyre planifikimeve marrin edhe ata që iu nevojiten gjatë një viti në shërbimin që drejtojnë. “Pra planifikimet janë kërkesat që ne bëjmë në drejtori për ato që na duhen për pacientët. Këto planifikime zakonisht bëhen duke u bazuar mbi treguesit e një viti më parë. Sigurisht që nuk mund të jenë ekzakte planifikimet për medikamentet dhe materialet e konsumit që na duhen për një vit duke u mbështetur në treguesit e një viti më parë, por ne në bazë të tyre arrijmë të marrim sasi të nevojshme për pacientët”,- shpjegojnë shefat e shërbimeve.

Papërgjegjshmëria

Nuk dinë të japin një shpjegim të saktë se përse shkresat etyre për planifikimin e vitit pasardhës janë zhdukur në mënyrë misterioze. Megjithatë shefat e shërbimeve këtë e shohin si papërgjegjshmëri dhe skandal që ish-drejtuesit e QSUT-së kanë bërë ndaj shkresave që ata kanë dorëzuar. “Nuk arrijmë të kuptojmë se përse ato shkresa që janë zyrtare dhe që mbajnë vulën dhe firmën e shefit të shërbimit të zhduken nga individë të veçantë për motive që vetë ata mund t’i dinë.

Ato janë dokumente të rëndësishme pasi kanë të bëjnë me materialet dhe konsumin për pacientët, të cilat nuk bëhen për t’u hedhur në koshin e plehrave apo për t’u zhdukur, por për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u zbatuar”,-pohojnë shefat e shërbimeve të cilët theksojnë se të njëjtat planifikime do t’i dorëzojnë shpejt në drejtori, por me të vetmin ndryshim që do të kenë emrin e drejtoreshës së re të QSUT-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›