Studentët protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit
TIRANË- Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, refuzon kërkesat e studenteve të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, duke këmbëngulur në mosdhënien e titullit në diplomën që kjo e fundit iu ka servirur atyre. Studentët që kanë mbaruar ciklin tre vjecar të studimeve zhvilluan sot një takim me zëvendës ministren e arsimit, Adriana Gjonaj e cila bëri të ditur se sipas ligjit në diploma nuk do të shënohet asnjë titull. “Ne po ndjekim rregullat sipas procesit të Bolonjës”, u shpreh zëvendës ministrja ndërkohë që studentët pretendojnë së edhe viti para tyre ka marrë titull në diplomë pavarësisht se të dy brezat i përkisnin sistemit të Bolonjës. Ndërkohë studentët deklaruan se në ditët në vazhdim do të përshkallëzojnë protestat deri në bllokim të hyrjes së MASH-it duke bllokuar aktivitetin e këtij institucioni. “ në qoftë se nuk do të merren parasysh kërkesat tona, hapi i parë që do të bëjmë është bojkotimi i mësimit, janë plot 20 mijë studentë në të gjithë Shqipërinë të cilëve do t’iu ofrohet një diplomë e cila nuk ka asgjë të përbashkët me këtë emër”-janë shprehur studentët gjatë protestës së sotme në hyrje të Ministrisë. Të bindur deri në zgjidhjen e problemit të tyre, studentët i janë drejtuar edhe Unionit të Gazetarëve dhe pritet mbështetja e tyre përmes një konference për shtyp ditën e nesërme.
Gjatë ditës së sotme ka patur protesta edhe nga ana e Studentëve të shkencave sociale, të cilët kanë pretenduar se nuk do të paguajnë tarifën vjetore të shkollimit nëse Ministria e Arsimit nuk zgjidh problemin e godinës ku ata do të studiojnë, pas pezullimit të mësimit për shkak të mureve të cara në godinën e këtij Fakulteti.
(E.N/ Balkanweb)