PS, taktikë për votimin në Kuvend
Pas fjalës së mbajtur nga kryetari i Partisë Socialiste, grupi parlamentar ka vijuar mbledhjen me dyer të mbyllura, ku ka diskutuar lidhur me axhendën parlamentare. Grupi ka vendosur mbi diskutantët që do të marrin pjesë në debatin e seancës plenare të ditës së enjte, ndërsa kanë caktuar edhe personat që do të flasin në emër të grupeve për projektligjet që janë në rend të ditës. Burime nga mbledhja kanë bërë të ditur se gjatë saj është diskutuar edhe lidhur me prezencën e deputetëve në sallë, ku të zgjedhurve socialistë u është kërkuar që të jenë më të kujdesshëm për të mos lejuar mazhorancën që të votojë ligje kur në sallë nuk ka shumicën prej 71 deputetësh. Në një rast të tillë deputetëve u është kërkuar që të luajnë strategjinë e mosmarrjes pjesë në votim për të mos bërë të mundur arritjen e kuorumit prej 71 votash për çeljen e votimit për një nismë të veçantë ligjore.