E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët serbë duan të emigrojnë

Rreth 150 mijë të rinj nga Serbia, njerëz të arsimuar, kanë emigruar në vendet perëndimore që nga viti 1991. Ekspertët thonë se vështirësia për të gjetur punë, është arsyeja kryesore që njerëzit e arsimuar vendosin të ikin Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 08:40

Serbia renditet e dyta në botë në "rrjedhjen e trurit", sipas Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID). Rreth 150 mijë të rinj, njerëz të arsimuar, kanë emigruar në vendet perëndimore që nga viti 1991.

Ekspertët thonë se vështirësia për të gjetur punë, është arsyeja kryesore që njerëzit e arsimuar vendosin të ikin.

"Të dhënat mbi papunësinë e të rinjve në Serbi janë alarmuese. Çdo dy nga pesë të rinj të moshave 18 deri 25 vjeç janë të papunë", tha drejtoresha e USAID në Beograd, Merilin Shmid.

Gati 40 për qind e studentëve konsiderojnë se lidhjet, e jo aftësitë, janë faktori kryesor në marrjen e punësimit, sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Beogradit, ndërsa vetëm një e pesta mendojnë se diploma e tyre është vlera kryesore në gjetjen e një pune.

"Unë u diplomova në Fakultetin Juridik katër vjet më parë, me një notë mesatare 8.9. Që atëherë kam pasur shtatë intervista pune, por dikush tjetër që kishte miq apo familje në ato firma apo institucione, e merrte gjithmonë punën", tha banori 27 vjeçar i Beogradit, Srdjan Glishic.

Rrjedhimisht, një pjesë e madhe, 63 për qind e studentëve do të donin të iknin, sipas studimit të Universitetit të Beogradit, megjithëse kjo është një rënie e lehtë prej 3 për qind, për dallim nga viti i kaluar.

Prirja alarmuese është edhe më shqetësuese, duke ditur se kushton 210 mijë euro mesatarisht në Serbi, për të arsimuar një person për të qenë specialist në një fushë të caktuar.

"Veçanërisht të pakënaqshme janë të dhënat, që tregojnë se mbi gjysma e të rinjve nuk kanë besim në ndonjë institucion politik", tha sociologia Jasmina Miletic.
Miletic argumenton se në qoftë se qeveria nuk përmirëson urgjentisht imazhin e saj, nuk do të ketë asnjë që të punojnë në institucionet e tipit të BE-së, kur ato të formohen.

Studentët nuk janë në gjendje të gjejnë punë edhe kur regjistrohen në Universitete, ndërsa prindërit janë të detyruar të financojnë arsimin e studentëve në mbi dy të tretat e rasteve.

"Punët që shërbimet e studentëve ofrojnë janë të paguara keq. Pagesa vjetore në Fakultetin Elektroteknik që unë ndjek, është 1,800 euro dhe prindërit e mi marrin kredi çdo verë për ta mbuluar atë, duke paguar norma shumë të larta interesi", tha studenti i vitit të tretë, Milosh Petranovic.

"Ne përgatitëm një strategji të re për punësimin për periudhën 2010-20. Një mjedis ekonomik duhet krijuar, për të hapur vende të reja të punës dhe kjo është më e rëndësishmja për rininë që të mbetet këtu", tha ndihmësja e ministrit të Punës, Radmila Bukumiric-Katic.

Ekspertët bien dakord se 15 vjet më parë, Serbia kishte një epërsi relative ndaj vendeve të tjera rajonale, por që atëherë investoi pak në arsim dhe në ekonomi.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Punësimit, 686 vetë janë të regjistruar si të papunë, specialistë të IT me një diplomë universiteti. Që nga janari 2011, vetëm 208 prej tyre gjetën punë.

"Korporatat e huaja këtu kanë një listë shkollash, studentët e të cilave i punësojnë dhe një tjetër, për studentët që nuk punësojnë. Kjo për arsye se sistemi ynë arsimor nuk është i mirë dhe nuk prodhon specialistë, që mund të punojnë në kompanitë bashkëkohore", tha drejtori i Qendrës për Tregun e Lirë, Miroslav Prokopijevic.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›