Studentet vene ne skene nje “Kafe xhelozie”
TIRANE- Një kafe xhelozie. Kjo është ajo çfarë na ofrohet së fundi nga një grup studentësh dhe pedagogësh të “Aleksandër Moisiut” në Durrës. Në datën 31 janar dhe 2 shkurt, ora 19:00, studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit shfaqin komedinë “Cafe Xhelosucht” në Teatrin e Metropolit, e cila flet për xhelozinë dhe përmban tekstet e dy autorëve shqiptar e gjerman, këngë e shaka si dhe tekste të shkruar nga vetë studentët. Pjesa është përgatitur nga Charlotte Siegerstetter, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës së bashku me një kolegun e saj gjerman, pedagog në Universitetin e Tiranës. Shfaqja jepet e kombinuar në shqip dhe gjermanisht. Një shfaqje interesante që sjell në skenën e këtij teatri trupat teatrore të studentëve të Universitetit të Tiranës dhe të atij të Durrësit. Studentët-aktorë pyesin: “A ju pëlqen gjella me shumë kripë ? Apo, sipas jush, kripa nuk është e shëndetshme? Nëse keni dëshire të mendoni rreth këtyre çështjeve, atëherë jeni përzemërsisht të ftuar në teatrin tonë”. Xhelozia sipas këtyre filozofëve është vetëm shprehje e ndjenjës së pronësisë ku njeriu e sheh partnerin si pronë të tij të cilën nuk don ta humbasë. Ata thonë se të dashurosh dikë është ta lesh atë lirë në rrugën e tij. Por shfaqja e sheh në tjetër këndvështrim.(s.g/BalkanWeb)