E Diel, 1 Nëntor 2026

"Demokracia në Veprim”: Në prizren e Lipjan proces i rregullt votimi

PRISHTINE- Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, i cili po vëzhgon rivotimin e sotëm të balotazhit për kryetar komunash në Prizren dhe Lipjan, tha të dielën se, “bazuar në të dhënat deri në orën 10:00, në përgjithësi, procesi i votimit është zhvilluar i rregullt”. Megjithatë, ky koalicion ka konstatuar “disa vonesa të vogla në hapjen e disa vendvotimeve, mungesën në disa raste të komisionerëve, si dhe disa problemeve teknike si mungesa e ngjyrës së vulave, etj". “Demokracia në Veprim” ka angazhuar rreth 300 vëzhgues për zgjedhjet e raundit të tretë në komunën e Prizrenit dhe Lipjanit. Prizreni dhe Lipjani po rivotojnë sot balotazhin për kryetar komune të 13 dhjetorit, të zgjedhjeve lokale në Kosovë, raundi i parë i të cilave u zhvillua më 15 nëntor të vitit të kaluar. Qendrat e votimit në të dy komunat janë hapur në orën 07:00 dhe sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) procesi po zhvillohet normalisht,ndërsa po ndiqet nga më shumë se 2.800 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Në balotazhet e Prizrenit dhe Lipjanit për kryetar komunash garojnë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilat e bëjnë koalicionin qeverisës në nivel vendi.(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›