Meta: Në qendër të programit, lufta kundër varfërisë
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi një takim me anëtare të forumit të gruas të kësaj partie. Duke folur para tyre, Meta tha se “Lëvizja e Gruas për Integrim (LGI) po intensifikon organizimin saj dhe besoj se Konventa Kombëtare e LGI-së në 6 mars do të jetë një ngjarje shumë e rëndësishme, jo vetëm për ju dhe LSI-në, por në përgjithësi për jetën politike dhe shoqërore në vend”. Kreu i LSI-së e vuri theksin në këtë takim në luftën kundër varfërisë, mbi të cilën do të bazohet dhe programi elektoral i kësaj partie.
“Në gjithë programin tonë të luftës kundër varfërisë, pra atë që kemi zhvilluar deri tani, garantimi i një ‘bonusi jetik’ për familjet që jetojnë nën pragun e minimumit jetik, një prioritet të veçantë do të ketë mbështetja për gratë dhe në mënyrë të veçantë në raport me familjarët. Sepse nuk ka gjë më të rëndë në një shoqëri, dhe nuk ka gjë më të rëndë për një nënë, e cila nuk është e sigurt edhe për ushqimin e fëmijës së saj, për mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë për të ndjekur edhe një shkollë publike”, tha Meta. Duke e parë rolin e gruas në shoqëri si parësor në mbarëvajtjen e familjes dhe të mbarë shoqërisë, Meta
tha se “është një përgjegjësi dhe është një detyrë e shoqërisë sonë që t’i japë fund anktheve të tilla që përjetojnë dhjetëra e qindra mijëra nëna sot në Shqipëri, të cilat vërtet nuk i zë gjumi për atë që nuk e dinë çfarë do bëjnë të nesërmen për fëmijët e tyre, që nga ushqimi deri te blerja e librave për në shkollë e deri te punësimi”. Kreu i LSI-së akuzoi qeverinë e kryeministrit Berisha se nuk ka sjellë asnjë përparim për jetën e gruas shqiptare, duke sjellë në vëmendje fatin tragjik të shumë nënave që punonin bashkë me fëmijët e tyre në fabrikën e tragjedisë së Gërdecit. “Ne jemi kundër kësaj lloj shoqërie që ofron Qeveria e Sali Berishës, e cila detyroi edhe nënat e Gërdecit të merrnin fëmijët atje për të punuar mes predhave, për të siguruar dy lekë më shumë në familjet e tyre. Por kur kjo dramë ndodh mes Tiranës dhe Durrësit, ju e kuptoni sesa drama ndodhin, përjetojmë dhe dëgjojmë anembanë Shqipërisë, sepse varfëria është thika që po i shkon në palcë çdo ditë dhe më shumë të paktën 1 milion shqiptarëve”, tha Meta.