E Diel, 1 Nëntor 2026

Nju-Jork: 250 mijë dollarë në darkën e grumbullimit të fondeve për katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë

27/05/2009  Ismail Kadare dërgon letër nga Parisi - Mirënjohje papale nga Vatikani për Joseph Dio Guardin, Lekë dhe Pashko Gojçaj dhuruan 100 mijë dollarë.

BRONX NY - “Kur i fton njerëzit për së dyti për të njëjtin projekt, druhesh se mos nuk do të vijnë e do ta quajnë të mbyllur kontributin. Aq më tepër kur ai ka qenë aq bujar sa ai i vitit të kaluar për katedralen”, - thotë kryetari i komisionit të grumbullimit të fondeve për katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, veprimtari i dalluar Marian Cubi. “Por njerëzit, - thotë ai, - erdhën e dhanë përsëri. Treguan se kanë zemër të madhe e dashuri për Zotin dhe atdheun. Ata na nderuan të gjithëve.”

Shqiptaro-amerikanë të të gjitha besimeve fetare u mblodhën për të dytin vit radhazi (në të njëjtin muaj) për të ndihmuar financiarisht ndërtimin e katedrales që do të mbajë emrin e nobelistes shqiptare Nënë Tereza në Prishtinë. Projekti për ndërtimin e kësaj katedraleje u hodh për herë të parë nga presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Darka e dytë fondembledhëse u organizua ditën e diel, datë 17 mars, në lokalin e njohur "Maestros" në Bronks, Nju-Jork. Në darkë morën pjesë rreth 400 veta, pjesa dërrmuese anëtarë të komunitetit katolik nga kisha katolike “Zoja e Shkodrës” me qendër në Hartsdale.

Veprimtarë të njohur të komunitetit dhe të Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë ishin mes organizatorëve kryesorë të kësaj darke, që kishte si të ftuar të nderit edhe një delegacion të klerikëve më të shquar katolikë të Kosovës, të kryesuar nga Ipeshkvi dom Dodë Gjergji, dom Lush Gjergji dhe dom Fran Kola. Delegacioni i klerikëve nga Kosova u shoqërua në tryezën kryesore nga famullitari i kishës katolike shqiptare "Zoja e Shkodrës" këtu në Nju-Jork, dom Pjetër Popaj, si dhe ish-kongresmeni republikan i Nju-Jorkut, Joe DioGuardi, presidenti vullnetar i LQSHA-së dhe Shirley Cloyes-DioGuardi, këshilltare e çështjeve ballkanike.

Darkën e grumbullimit të fondeve për katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë e udhëhoqi veprimtari i komunitetit Ismer Mjeku, i cili ka marrë pjesë intensivisht edhe në organizimin e këtij fondi, dhe anëtarë i komisionit të fondit të katedrales.

Marian Cubi, kryetar i këshillit të grumbullimit të fondeve për katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, në fund të darkës kumtoi se ishin mbledhur rreth 250 000 dollarë, shumë e cila do të kalojë në llogari të ndërtimit të katedrales. Këtu përfshihet edhe shuma prej 100 000 dollarë e premtuar vjet nga vëllezërit Lekë e Pashko Gojçaj, dhe dorëzuar këtë vit.

Pas bekimit të darkës nga dr. dom Fran Kola, një nga miqtë e nderuar që kishin ardhur nga Kosova, u ngjit në foltore për të falënderuar donatorët dhe delegacionin nga Kosova dom Pjetër Popaj, famullitari i kishës katolike "Zoja e Shkodrës". "Kisha katolike Zoja e Shkodrës, me qendër në Hartsdale, është kthyer në një qendër të një rrjeti që shkon përtej botës fetare me veprimtaritë kulturore, artistike, humanitare e sociale që organizon, mbikëqyr e frymëzon, - tha dom Pjetër Popaj. - Armiqtë tanë, - vijoi ai, - në shekuj janë përpjekur të na ndajnë, se kanë qenë të bindur se shqiptarët e bashkuar mund të bëjnë gjithçka. Ka qenë ky bashkim ndërfetar që u ka mundësuar shqiptarëve tu qëndrojnë perandorive të mëdha në shekuj e të ruajnë identitetin e tyre kombëtar.”

“Akti i financimit të përbashkët të kësaj katedraleje e nënvizon këtë fakt dhe vetë simboli më i madh i katedrales në kryeqytetin e Kosovës, në këtë shtet të ri me shumicë myslimane është pikërisht toleranca dhe harmonia ndërfetare", - pohoi më poshtë dom Pjetër Popaj.

Një numër vargjesh nga më të bukurat u lexuan edhe ditën e diel në mbrëmje nga dy të rinj shqiptaro-amerikanë: Frashër Ulaj dhe Arlinda Balidemaj, në shoqërinë e tingujve të pianos, të luajtur nga pianistja e njohur shqiptare Nermin Daja (Zhabjaku).

Ndërsa dy të rinjtë recitonin, në një ekran të vendosur në sallë shfaqeshin fotografi të ndryshme nga jeta e Nënë Terezës, duke filluar që nga fëmijëria e saj e deri në dekadat e fundit, kur gëzonte famën botërore, kur pritej nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kur takonte shqiptarët. Në mënyrë kuptimplote dy të rinjtë e nisën recitalin e bukur me fjalët e paharrueshme të Motrës së Madhe: "Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Për sa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

Delegacioni nga Kosova falënderon dhe vlerëson komunitetin shqiptar në SHBA. “Sa i madh e sa i shenjtë është ky popull, që ka ditur të lindë një nënë të tillë!” - tha ndër të tjera imzot Dodë Gjergji, ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës. Ai i falënderoi shqiptaro-amerikanët për ndihmën që kanë dhënë për katedralen dhe u kujtoi të pranishmëve kohën e madhe që ka ardhur për shqiptarët. “Ne jemi një gjeneratë që po shijon pranverën e kombit shqiptar. Nuk ka më bunker e tela me gjemba të komunizmit, ushtri të huaja për të na ndaluar që të shkojmë te njëri-tjetri”, - tha ai duke vënë theksin se kjo është edhe koha për të kryer vepra të mëdha, siç ishte pavarësia e Kosovës e siç do të jetë ngritja e katedrales në kryeqytetin e saj.“Ju jeni mbështetja jonë e parë dhe më e madhe”, - u tha ai shqiptarëve të mbledhur, që e duartrokitën nxehtësisht.

Një tjetër fjalim i ngrohtë, që ua çoi zemrat peshë shqiptarëve, ishte një figurë poliedrike e përmasave evropiane: dr. dom Lush Gjergji, biografi më i shquar i Nënë Terezës dhe një prej figurave më të respektuara fetare në Kosovë e kudo ku ka shqiptarë. “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën!” - tha ai ndër të tjera duke cituar fjalët e Nënë Terezës. Dhe shtoi se “vetëm dashuria do ta shpëtojë popullin shqiptar”.

Duke kujtuar shembullin e Nënë Terezës, modest në ambicie, por madhështor për nga arritjet, ai i ftoi shqiptarët që vlerësojnë ngritjen e katedrales në të gjithë kontekstin e gjerë të këtij akti. “Është e rëndësishme që ta ngremë katedralen në Prishtinë, por më e rëndësishme akoma është që ta ngremë në zemrën e çdo shqiptari”, - tha ai, duke fituar duartrokitjet e sallës.

Letër e shkrimtarit të madh Ismail Kadare

Me duartrokitje të mëdha u prit në sallë letra zemërdhënëse e lavdëruese e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare dërguar bashkatdhetarëve të mbledhur për të ndihmuar në ndërtimin e katedrales. Letra u lexua nga kryetari i këshillit për ndërtimin e katedrales Marian Cubi, një nga organizatorët më të përkushtuar të çështjes së katedrales. Më poshtë vijon teksti integral i shkrimtarit fitues i çmimit “International Man Booker” dhe kandidat i çmimit “Nobel” për letërsinë:

“Të dashur bashkëkombës,

Nga Nju-Jorku erdhi lajmi i bukur i mbledhjes suaj për katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë. Ky është një lajm i mirë, që vjen në kohën e duhur. Shqiptarët e shpërndarë kudo në botë kanë kaq shumë nevojë për lajme të tilla, ndonëse ato, si çdo gjë e çmuar, janë të rralla.

Mesazhi që ju po i jepni kombit shqiptar, rajonit ballkanik dhe gjithë botës është një ndër mesazhet më fisnike të kohës. Ju po ndihmoni për ngritjen e një katedraleje, e cila përveç kuptimit të saj të mirëfilltë është njëkohësisht një katedrale e mirëkuptimit njerëzor.

Kjo nuk është një fantazi optimiste, nga ato që përpiqen ta shohin botën më të mirë se çështë. Kjo është një e vërtetë e prekshme. Fakti që jeni mbledhur aty, shqiptarë të besimeve të ndryshme, me të njëjtën dëshirë dhe me të njëjtin qëllim, e vërteton krejtësisht mendimin e mësipërm. Kjo të kujton meshën e parë që u bë në Shkodër fill pas përmbysjes së robërisë. Në atë meshë morën pjesë të krishterë dhe myslimanë bashkë, sepse ajo, duke qenë një rit fetar, ishte njëkohësisht mesha e lirisë. Kjo të kujton lajmin e bukur fill pas Luftës së Dytë Botërore, kur u mësua se ishte një vend në Europë ku hebrenjtë, në vend që të pakësoheshin, ishin shtuar. Ky vend ishte Shqipëria dhe mbrojtja e hebrenjve ishte kryer prej shqiptarëve të tri besimeve të tjera, pa ngurrim dhe pa dallim.

Me katedralen e Nënë Terezës midis saj, me këtë shtëpi të lartë të humanizmit, për ndërtimin e së cilës ju jeni mbledhur sot, Kosova do të jetë më njerëzore, më e qëndrueshme dhe ajo që është kryesorja, më e lirë.

Ismail Kadare.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›