Studimet në Itali, tjetër mundësi për maturantët
TIRANE- Universitetet italiane kanë vendosur që t’u japin edhe një mundësi tjetër maturantëve shqiptarë, të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në afatet standarde për të aplikuar. Ambasada italiane në Tiranë njofton të gjithë të interesuarit se ata do të kenë mundësi që të regjistrohen për të aplikuar deri në fillim të muajit korrik. “Siç dihet, data e fundit për të paraqitur dokumentet e nevojshme për para-regjistrimin në universitet italiane ishte data 20 qershor 2011. Studentët që duan të regjistrohen në universitetet italiane dhe që për arsye të forta, nuk kanë mundur të plotësojnë procedurat e para-regjistrimit, por që gjithsesi mendojnë se plotësojnë kushtet për regjistrim, mund të kontaktojnë me Zyrën e studentëve të kësaj ambasade në adresën scuole.tirana @esteri.it deri në fillim të korrikut 2011", - thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj ambasade. Ndërkohë që Instituti Italian i Kulturës, këtë verë, për t’u ardhur në ndihmë të rinjve shqiptarë ka hapur edhe një sesion të jashtëzakonshëm të provimit të gjuhës italiane Celi 3, që do të kryhet para datës 10 gusht. Çdo vit, janë rreth 2 mijë të rinj shqiptarë që zgjedhin të diplomohen në universitetet përtej Adriatikut.
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)