E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule letër Berishës dhe Ramës

Gazeta Shqip

Dëshirojmë që Sanino ta gjejë Tiranën me kreun e ri të shtetit, në mënyrë që palët të angazhohen për të mbyllur reformën zgjedhore

Pas dështimit të përmbylljes së reformave zgjedhore dhe parlamentare para afatit të 24 majit, kur nisi procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, Komisioneri për Zgjerim dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fule i ka drejtuar një letër Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama. E nisur dje, letra nuk dihet nëse ka mbërritur ende në destinacion, pasi kjo gjë nuk konfirmohet nga zyrat përkatëse në Tiranë. Por burime të Top Channel në Bruksel konfirmojnë se mesazhet janë të njëjta me ato të përsëritura kohët e fundit nga Fule, në mënyrë që Shqipëria të rrisë shanset reale për një rekomandim për statusin kandidat këtë vjeshtë.

Kërkohet në vijimësi frymë konsensuale dhe dialog mes palëve për të përmbyllur me sukses e pa vonesa të dëmshme reformën zgjedhore dhe parlamentare, si dhe për zgjedhjen e Presidentit, janë shprehur burimet e Top Channel.

Sipas të njëjtave burime, në letër përmendet edhe vizita e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Sanino, i cili pritet të mbërrijë në Tiranë më 7 qershor, pas raundit të dytë, dhe në prag të raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit, nëse ky proces nuk do të jetë mbyllur ende. Komisioneri Fule ka paralajmëruar disa herë se mosmbyllja e reformave të paketës së nëntorit para 24 majit, mund të kthehet në pjesë të problemit, e jo të zgjidhjes për çështjen e statusit.

Dëshira e Brukselit ka qenë dhe mbetet zgjedhja sa më e shpejtë e Presidentit sipas gërmës dhe frymës së Kushtetutës. U takon partive politike shqiptare që të bëjnë të mundur që kjo situatë të kapërcehet, e të mos krijohen probleme shtesë. Ne do të dëshironim që zoti Sanino ta gjente Tiranën me kreun e ri të shtetit, në mënyrë që palët të angazhohen plotësisht në tryezë për të mbyllur reformën zgjedhore e gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet, thuhet ndër të tjera në këtë letër, në mënyrë të përmbledhur sipas burimeve të Top Channel.

Siç e konfirmoi dhe vetë Komisioneri Fule në deklaratën e tij të para dy ditëve, ardhja e Stefano Saninos në Tiranë përbën përpjekjen e radhës nga ana e Komisionit, për të parë se si mund të ndihmohen palët për të mbyllur çështjet e mbetura pezull për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare.

1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Fule letër Berishës dhe Ramës burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›