E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron Al Banon me urdhërin “Nënë Tereza”

Presidenti Topi dekoroi sot këngëtarin e mirënjohur italian, Al Bano Karrizi, me Urdhrin e lartë “Nënë Tereza”. Kreu i shtetit vlerësoi kontributin e këngëtarit italian në forcimin e lidhjeve kulturore dhe shpirtërore mes dy vendeve. 

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi sot, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, këngëtarin e mirënjohur italian, Al Bano Karrizi, me Urdhrin e lartë “Nënë Tereza”. Kreu i shtetit vlerësoi këngëtarin e njohur italian që ngriti zemrat e shqiptarëve në vjeshtën e vitit 1989 me këngën Liberta. Ndërsa vetë Al Bano kujtoi me nostalgji atë vit dhe vlerësoi makismalisht Nënë Terezën.

“Për mua është më e lehtë të këndoj se të flas, mbi të gjitha pasi dëgjova motivacionin e këtij takimi, motivacion emocionues dhe emocional. Për Shqipërinë kam dëgjuar qëkurse isha i vogël, e më pas kuptova se më parë vinte Shqipëria (‘Albania’) e pastaj Al Bano. Kam qenë dëshmitar i një ndryshimi pozitiv e sot jemi këtu për të celebruar edhe atë moment, vjeshtën e vitit 1989. Mes këtyre emocioneve, më mbetet vetëm një gjë për të thënë: ‘Falemnderit Shqipëri! Falemnderit zoti President! Falemnderit shqiptarë!’” u shpreh Al Bano.
Në përfundim të ceremonisë zyrtare të dekorimit, Presidenti Topi zhvilloi një takim të shkurtër me Al Bano Karrizin, i cili është i pari këngëtar perëndimor që ka dhënë koncert në Shqipëri që në vitin 1989. Kreu i shtetit vlerësoi kontributin e këngëtarit italian në forcimin e lidhjeve kulturore dhe shpirtërore mes dy vendeve. Al Bano Karrizi theksoi se vendi ynë, të cilin ai e ka vizituar disa herë, zë një vend shumë të veçantë në jetën dhe historinë e familjes së tij duke shprehur gjithnjë konsideratat më të larta për popullin shqiptar dhe Shqipërinë. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›