E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët italianë lëshojnë alarmin: Virusi H1N1 mund të vijë në Shqipëri me emigrantët

Këshillat. Kujdes nga grupimet në muajin gusht-shtator
Ardhja e emigrantëve në vendin gjatë muajit gusht, por edhe muaji shtator mund të rrezikojë infektimin e vendit nga gripi i derrave. Profesor Giovanni Rezza, drejtor i Kërkimeve Shkencore në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në Romë është shprehur se për momentin Shqipëria është më e qetë edhe se Italia për sa i përket virusit H1N1, por një mundësi e madhe risku për të dy vendet është muaji gusht, kur fillon dhe lëvizja e emigrantëve. "Për Shqipërinë, aktualisht situatë është e qetë. Por mendoj se vendet si Italia dhe Shqipëria ashtu si dhe vende të tjera të Europës riskojnë në stinën e vjeshtës pasi hapen shkollat, frekuentohen lokalet e mbyllura dhe virusi ka tendencë për t'u përhapur më shpejt.Natyrisht duhet ta marrim me të qetë, të identifikojmë sa më shpejt rastin me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, shprehet profesor Rezza, duke shtuar se qytetarët duhet të evitojnë lokalet e mbyllura për të zvogëluar mundësinë e infektimit. Nga ana tjetër, profesor Rezza ka bërë të ditur se mendohet të jete gati dhe vaksina e posaçme me të cilën mund të vaksinohet një pjesë e popullsisë. Ndërsa drejtues të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët ishin mbledhur dje në një takim për gatishmërinë në rastet e pandemive, thanë se situata është nën kontroll, pasi kjo është vënë re edhe në 3 raste të dyshuara në vendin tonë.
Gatishmëria për pandemitë
Sipas drejtuesve më të lartë të Shëndetësisë në vendin tonë, sistemi shëndetësor shqiptar është i gatshëm të përballojë situata në rast pandemie, ashtu sikurse vendet e tjera të rajonit e më gjerë. Drejtori i Planifikimit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Arjan Harxhi, bëri të ditur se në rast të një pandemie, specialistët e parë që do të përballen janë ata të shëndetit publik dhe të sëmundjeve infektive. Sipas Harxhit, personeli është i mjaftueshëm në Shqipëri, qoftë në numër, por dhe kapacitetet e tyre janë të mjaftueshme për të përballuar situatën. I pranishëm në Konferencën "Sëmundjet infektive, epidemitë, pandemitë, Harxhi pohoi se ashtu si në vende të tjera të botës, edhe Shqipëria dhe strukturat shëndetësore shqiptare janë përfshirë në situatën emergjente, në drejtim të parandalimit të epidemisë. "Bëhet fjalë për situata që kërkojnë rishikim të rregulloreve, zbatim dhe përshtatje të rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit, në kushtet aktuale, për situata kur duhen angazhuar fonde financiare të mëtejshme, kur duhet vlerësuar dhe përsosur sistemi shëndetësor, etj", tha Harxhi. Ai siguroi se bazuar në kushtet e Shqipërisë, këto masa janë marrë, qoftë në drejtim të përshtatjes së rregullores ndërkombëtare, apo qoftë dhe në drejtim të rritjes së kapaciteteve të caktuara shëndetësore, përgatitjes së stafit, krijimit të stoqeve të nevojshme të barnave antivirale, por dhe rritjes dhe sensibilizimit të popullsisë për të qenë më të ndërgjegjshëm për parandalimin e infeksioneve. Ndërsa zv/ ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj theksoi nga ana e tij se rregullimet ligjore që MSH ka marrë, edhe nëpërmjet amendimeve të ndryshme ligjore dhe tërësia e vendimeve që janë marrë e bën të aftë sistemin shëndetësor shqiptar ë aftë të inkuadrohet në të gjitha bashkëpunimet rajonale dhe multilaterale, në kuadër të kontrollit të sëmundjeve infektive. Takimi i djeshëm, vjen në moment të rëndësishëm, kur situata ndërkombëtare është e ngarkuar me ngjarje të ditës, kur bashkëpunimi multirateral dhe i të gjitha vendeve dhe organizmave, që merren me studimin dhe me analizimin e riskut të sëmundjeve infektive është shumë i rëndësishëm. Ndërsa, kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu nënvizoi se sistemi shëndetësor shqiptar ka qenë i aftë ti bëjë ballë mjaft problemeve të mëdha që janë shfaqur rreth vendit tonë dhe disa herë brenda tij, të lidhura me këtë sektor të sëmundjeve infektive. Ai përmendi si shumë të rëndësishme në këtë drejtim ligjet "Për kujdesin shëndetësor" dhe "Për shëndetin publik", të cilët kanë kapituj që i dedikohen kësaj problematike, element i rëndësishëm i një vendi. Konferenca u organizua nga Instituti Italian Shëndetësor i Italisë dhe Ministria e Shëndetësisë, ku morën pjesë ekspertë italianë dhe shqiptarë të fushës. Në të u sollën eksperienca të ndryshme në drejtim të përballimit të situatës pandemike në rang botëror.  

Last Updated on Saturday, 30 May 2009 15:43

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›