Studimi: Shpërndarja gjeografike e dërgesave të emigrantëve
Sipas studimi të BSH-së, Tirana dhe Vlora përfitojnë më shumë nga remitancat, ndërsa Kuçova dhe Peqini më pak
Dërgesat e emigrantëve po rriten me ritme të shpejta, sa për shumë familje ato janë i vetmi burim jetese. Sipas ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, remitancat kanë arritur kulmin gjatë vitit 2007 pasi nga emigrantët kanë ardhur mbi 1 miliardë dollarë, nga 152 milionë USD që shënoheshin në 1992. Ndërkohë studimi i Bankës së Shqipërisë shpjegon shpërndarjen gjeografike të remitancave. Gjithashtu në studim tregohen edhe kategoritë e emigrantëve që dërgojnë më shumë para.
Shpërndarja gjeografike
Shpërndarja gjeografike e familjeve që përfitojnë nga dërgesat e emigrantëve është me e madhe, dhe kjo tregon se remitancat janë të përfituara nga popullsia e Tiranës me 19 për qind dhe në qytetin e Vlorës me 12 për qind. Ndërsa toplistën e dërgesave të emigrantëve po sipas studimit e ndjek zona e Shkodrës, me 11 për qind të dërgesave e pasuar nga Fieri, me 8 për qind të dërgesave. Por ka edhe nga ato zona ku dërgesat e emigrantëve janë në nivele të ulëta. "Familjet në Kuçovë, Peqin dhe Pogradec shfaqin fluksin më të ulët të remitancave gjatë vitit (nën 1,000 euro)",- bëhet e ditur në studimin e Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, specialistët pohojnë se remitancat janë më të shpeshta në zonat rurale se në ato urbane. Kështu, rreth 59 për qind e familjeve pritëse banojnë në zonat rurale dhe rreth 41 për qind e tyre, në zonat urbane. "Po kështu, në zonat rurale, totali i përfituar gjatë vitit përfaqëson rreth 64 për
qind të totalit të përgjithshëm të remitancave vjetore",- bëhet e ditur në studim.
Dërguesit dhe kohëzgjatja
Të dhënat e vrojtimit tregojnë se marrëdhënia mes dërguesit dhe përfituesit të remitancave ka rëndësi përsa i përket vëllimit të dërgesave, si dhe hedh dritë
mbi profilin e emigrantëve shqiptarë jashtë. Kështu studimi tregon se mëse 85 për qind e dërguesve të remitancave janë djali ose vajza e kryefamiljarit. Kjo sipas specialistëve, flet për një lidhje të fortë me bërthamën familjare në Shqipëri. "Vërehet se djemtë mbështesin financiarisht familjet në Shqipëri. Megjithëse, në thuajse 20 për qind të rasteve emigrantët janë femra (vajza), mesatarja vjetore e dërgesave të tyre rezulton e ulët",- bëhet e ditur në studim, duke shtuar se lidhjet patriarkale autoritare, të cilat janë ende të ndjeshme në familjet shqiptare, kushtëzojnë përfshirjen e femrave në emigracion. Ndërkohë studimi tregon se bashkëshortët shfaqin mesataren më të lartë të hasur në dërgesa. Kjo, pasi familja pritëse, sipas specialistëve është drejtpërdrejt e varur financiarisht nga këto dërgesa. Ndërsa prania jo e madhe në numër e tyre po sipas specialistëve mund të shpjegohet me faktin, që cikli i emigrimit për këtë kategori emigrantësh mund të gjykohet më i vogël, krahasimisht me grupimet e tjera, pasi bashkëshorti ose kthehet ose bashkon familjen në vendin pritës.
Dita e Emigrantëve, IOM feston 15-vjetorin
IOM organizoi dje një aktivitet me rastin e 15-vjetorin e aktiviteteve të IOM në Shqipëri dhe Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve. Shefja e Misionit të IOM në Shqipëri, Nicoletta Giordano dhe Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Koo Barka organizuan takim me rastin e kësaj feste. Kështu u bë e ditur se në aktivitet do te inaugurohet ekspozita fotografike "Vështrim mbi migracionin shqiptar - nga Eksodi në Integrim" e realizuar në bashkëpunim me Institutin e Diasporës, në Ministrinë e Jashtme, me foto të zgjedhura të fotografit të mirënjohur shqiptar, Roland Tasho. Ndërsa Shkolla e Kamzës, si përfaqësuese e një zone të prekur si nga migracioni i brendshëm, ashtu dhe nga ai ndërkombëtar, do të sjellin krijimet e tyre letrare e vizatimet mbi temën e emigracionit.
Remitancat, ja sa kursejnë familjet nga dërgesat
Studimi i Bankës së Shqipërisë është bërë edhe sa i takon kursimeve për dërgesat e emigrantëve. Kështu studimi tregon se masa e kursimeve të emigrantëve shqiptarë në Itali, është më e lartë se ajo e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Përveç mbështetjes financiare nëpërmjet dërgesave në para, një formë tjetër dërgese është
ajo në të mira materiale. Kështu, studimi tregon se këto dërgesa vlerësohen mesatarisht 202 euro në vit dhe kanë qenë shtesë e flukseve monetare në rreth 36 për qind të rasteve. "Shkalla e kursimeve të remitancave është shumë e ulët. Mëse 59 për qind e familjeve të intervistuara, raportojnë se kursejnë në intervalin 0-5 për qind të
totalit të remitancave dhe 17 për qind, në intervalin 10-20 për qind", bëhet e ditur në studim. Të pyetur lidhur me pritshmërinë e tyre mbi flukset e remitancave, gati 3/4 familjeve përfituese nuk parashikojnë rënie të remitancave, për dy deri në tre
vitet e ardhshme. Ndërkohë që, 21 për qind e familjeve ka përjetuar rënie të fluksit të remitancave ndaj viteve të kaluara, si dhe shpreh pesimizëm për të
ardhmen. Gjithashtu në studim tregohet se emigrantët me qëndrim nga 5 deri në 10 vjet jashtë, kanë kontributin kryesor në dërgesa përgjatë vitit. Ndërsa, emigrantët e viteve të fundit dërgojnë më pak se ata që kanë mbi 10 vjet në emigrim.