Barka: 30 për qind e popullsisë janë emigrantë
Sipas ministrit të Punës, Barka, Shqipëria është e para në botë për fluksin e emigrantëve. Ja ndikimi i remitancave
Shqipëria është një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrantëve në botë. Aktualisht, jashtë vendit ndodhen rreth 1 milionë shtetas shqiptarë. Pra, fluksi migrator i shqiptareve arrin në rreth 25-30 për qind e popullsisë se vendit, ndërkohë që numri i popullsisë sipas regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në vitin 2001 është rreth 3 milionë e 87 mijë banor. Këtë bëri të ditur dje ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve. Madje specialistët e Ministrisë së Punës pohojnë se, emigrantët tanë mbajnë vendin e parë sa i takon shumës së parave që u dërgojnë familjeve të tyre.
Emigrantët
Ndërsa një studim i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me INSTAT, realizuar në vitin 2006 në lidhje me dërgesat e emigrantëve (remitancat) tregon se rreth 26 për qind e popullsisë shqiptare janë përfitues të këtyre dërgesave. Madje studimi detajon edhe përdorimin e remitancave.
Emigrantët
Rreth 1 milionë e popullsisë shqiptare jetojnë jashtë vendit dhe pjesa më e madhe e tyre ndodhet në Itali dhe Greqi. Këtë e pohon ministri Barka, i cili thekson se të ardhurat e emigrantëve përbëjnë një ndër burimet më kryesore për ekonominë e familjeve shqiptare. "Shqipëria është, aktualisht, një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrimit në Evropë dhe në botë. Studiuesit theksojnë se, aktualisht, jashtë vendit ndodhen rreth 1 milionë shtetas shqiptarë. Pra, fluksi migrator i shqiptarëve arrin në rreth 25-30 për qind e popullsisë se vendit ose 35-37 për qind të popullsisë në moshë pune",- pohon Barka. Duke u nisur nga ky kontekst Barka pohon se politikat migratore të qeverisë shqiptare nuk synojnë nxitjen e emigrimit të popullsisë, por përdorimin e tij si një faktor dhe burim për nxitjen e zhvillimit të vendit. "Politikat tona migratore janë përqendruar në dekurajimin e potencialit e fluksit migrator, nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës dhe krijimit të kushteve për punë e jetesë normale e dinjitoze në vend",- pohoi Barka, duke shtuar se këto politika kanë të bëjnë edhe me zgjerimin e kanaleve legale të emigrimit, krahas luftës ndaj emigrimit klandestin dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Ndikimi i remitancave
Ndikimi i remitancave në Shqipëri është i rëndësishëm, sepse: remitancat përbëjnë një burim kritik të ardhurash për familjet pritëse, duke përfaqësuar mesatarisht rreth 41 për qind të të ardhurave mujore. Ky është konkluzioni i studimit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilës, mesatarja vjetore e përfituar për familjet që presin dërgesat e emigrantëve vlerësohet në rreth 1,897 euro. "Kapaciteti i remitancave për të gjeneruar mirëqenie është i lidhur ngushtësisht me përfshirjen e tyre në sistemin financiar. Sipas vrojtimit, gati 1/3 e familjeve pritëse ka një marrëdhënie me bankat",- bëhet e ditur në studimin e Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, specialistët pohojnë se vlerësimet treguan se niveli i varfërisë reduktohet ndjeshëm përmes familjeve që presin remitanca. "Statistikat përshkruese të të ardhurave ditore për frymë tregojnë se, duke përjashtuar kontributin e remitancave, pothuajse 40 për qind e familjeve rezultojnë nën kufirin e varfërisë",- bëhet e ditur në studimin e Bankës së Shqipërisë.
41 për qind të të ardhurave mujore përbëjnë remitancat për familjet pritëse, sipas studimit të BSH-së
33.9 për qind e remitancave janë me destinacion investimet, sipas studimit të Bankës së Shqipërisë
Sipas studimit të BSH-së, rreth 41% e remitancave përdoren për plotësimin e nevojave të përditshme të familjarëve
Studimi: Ja për çfarë përdoren dërgesat e emigrantëve
Dërgesat e parave të emigrantëve tanë ndikojnë fuqishëm jo vetëm mbi ekonominë e familjeve të tyre, por edhe të vendit. Kështu, specialistët e Bakës së Shqipërisë pohojnë se është e nevojshme të theksojmë se, remitancat rrisin të ardhurat familjare, kështu që, ndikojnë sjelljen e tyre për konsum apo kursime. Studimi i Bankës së Shqipërisë tregon se 41.8 për qind e remitancave janë të orientuara drejt shpenzimeve për konsum, që përfshin plotësimin e nevojave të përditshme të familjes me ushqim, veshmbathje dhe lloje të tjera të shpenzimeve për konsum. Por karakteri i përdorimit të remitancave nuk mbaron këtu, pasi 16.4 për qind e tyre janë përdorur për edukim dhe trajtim mjekësor, që konsiderohen të dobishme për vendin si investime social. "Ndërsa 33.9 për qind e remitancave janë me destinacion investimet, rezultat i cili flet për ndikimin ekonomik të remitancave. Me fjalë të tjera, ai nënkupton se një e treta e remitancave shkon direkt për të financuar aktivitetin e biznesit", bëhet e ditur në studimin e Bankës së Shqipërisë, duke shtuar se 5.8 për qind e remitancave përdoret për ndërtimin e shtëpive. Ndërkohë në studim bëhet e ditur se, për familjet e zonave urbane, të ardhurat mesatare mujore vlerësohen në intervale më të larta se ato në zonat rurale. Kështu, mësohet se të ardhurat mujore për familjet që jetojnë në zona rurale vlerësohen mesatarisht në 34,787 lekë, ndërsa në zonat urbane, mesatarja e të ardhurave mujore për familje vlerësohet 46,038 lekë. "Rreth 51 për qind e familjeve raportojnë të jenë të përfshira në sipërmarrje të vogla biznesi apo aktivitete bujqësore. Kontributi i këtyre kategorive në të ardhurat mujore të familjeve, vlerësohet mesatarisht në rreth 19 për qind të buxhetit mujor familjar", bëhet e ditur në studim.
Remitancat, ja sa kursejnë familjet nga dërgesat
Studimi i Bankës së Shqipërisë ëhët bërë edhe sa i takon kursimeve për dërgesat e emigrantëve. Kështu studimi tregon se masa e kursimeve të emigrantëve shqiptarë në Itali është më e lartë se ajo e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Përveç mbështetjes financiare nëpërmjet dërgesave në para, një formë jetër dërgese është
ajo në të mira materiale. Kështu studimi tregon se këto dërgesa vlerësohen mesatarisht 202 euro në vit dhe kanë qenë shtesë e flukseve monetare në rreth 36 për qind të rasteve. "Shkalla e kursimeve të remitancave është shumë e ulët. Mëse 59 për qind e familjeve të intervistuara, raportojnë se kursejnë në intervalin 0-5 për qind të
totalit të remitancave dhe 17 për qind, në intervalin 10-20 për qind", bëhte e ditur në studim. Të pyetur lidhur me pritshmërinë e tyre mbi flukset e remitancave, gati 3/4 familjeve përfituese nuk prashikojnë rënie të remitancave, për dy deri në tre
vitet e ardhshme. Ndërkohë që, 21 për qind e familjeve ka përjetuar rënie të fluksit të remitancave ndaj viteve të kaluara si dhe shpreh pesimizëm për të
ardhmen. Gjtiashtu në studim tregohet se emigrantët me qëndrim nga 5 deri në 10 vjet jashtë, kanë kontributin kryesor në dërgesa përgjatë vitit. Ndërsa, emigrantët e viteve të fundit dërgojnë më pak se ata që kanë mbi 10 vjet në emigrim.