E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitjet me pakicë, problemet me shumicë

Pak ditë më parë, INSTAT publikoi të dhënat për shitjet me pakicë, ku treguesit e 3 muajt e parë të vitit 2009, flisnin për një rënie prej 3 për qind. Rritja e çmimeve ka qenë një ndër faktorët, që ka ndikuar në fuqinë blerëse. Ndërkohë që gjithnjë më tepër, në vend po shtohen rrjetet tregtare, fuqia blerëse është në kahun e kundërt, në rënie. Më së shumti ato po frekuentohen nga qytetarë thjesht si mundësi argëtimi, dhe jo njësi tregtare ku mund të blesh me pakicë me çmime të arsyeshme. Për këtë arsye, qytetarët u kthehen njësive tregtare të vogla, poshtë shkallëve të pallatit apo qoshe rruge, jo se aty është shumë më lirë, por të paktën aty edhe mund të shkruajnë emrin në listë, ndonëse është e njëjta cilësi produkti. Tregtia në Shqipëri mbetet një sektor i çuditshëm, ajo bën pjesën kryesore të veprimtarisë ekonomike të vendit, ndërsa investimet për kalimin e saj në një fazë më të lartë të shërbimeve kanë nisur vetëm 4 vitet e fundit. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri, edhe pse duhet të pranojmë se në vendet e tjera të rajonit, duke përfshirë Kosovën, këto investime datojnë shumë më herët. Ne kemi sot rrjete tregtare të rëndësishme, por me impakt jo aq të rëndësishëm në jetën e qytetarëve. Sot të blesh në një supermarket apo të blesh poshtë shtëpisë nuk bën ndonjë dallim. Malli është thuajse i njëjti, çmimi tejet i krahasueshëm - sidomos po të merren parasysh rrjetet më të reja të hapura në vend. Nëse në zonën urbane ku gjenden kryesisht edhe qendrat e përqendruara të shitjeve me pakicë, shpenzimet konsumatore për ushqim, pije e duhan bëjnë mesatarisht 57% të totalit, argëtimi bashkë me arsimin bën vetëm 5,4%, ndërsa zëra të tjerë që mund të justifikojnë këtë shpenzim të ndërlidhur nuk i kalojnë 5,5%. E thënë thjesht, një e dhjeta e shpenzimeve justifikohet në formatin dalim e blejmë. Po ashtu, vetëm një e dhjeta e asaj që shkon për ushqim e pije, konsumohet për veshje e këpucë, që mund të ishin një atraksion shtesë për frekuentimin masiv të qendrave tregtare. Kjo situatë favorizon rrjetet e vogla e të mesme që u rritën ngadalë, por mbajnë një vendndodhje tregu pranë konsumatorit, pranë qendrave të banuara. Disa rrjete të mëdha kanë nisur të aplikojnë këtë lloj adoptimi, duke zvogëluar sipërfaqet e supermarketeve dhe duke i zhytur ato në mes lagjesh të populluara, pranë zonave qendrore të qyteteve. Por kaq nuk mjafton. Me situatën e çmimeve jo aq konkurruese, me oferta që janë më shumë fiktive se reale, me shërbime që nuk gjenerojnë atraksion masiv, këto investime të rëndësishme për nga përmasa rrezikojnë të gjenerojnë një gropë të zezë financiare, përpara se sistemi në tërësi të ketë arritur të prodhojë një qëndrueshmëri reale. Menaxhimi i përqendruar nuk mbështetet mjaftueshëm me marketing të personalizuar dhe kostot e qirave mbesin tejet të larta. Ne sot kemi qendra tregtare që kërkojnë mes 30 -40 euro/m2, pavarësisht situatës ekonomike të përgjithshme apo fuqisë blerëse. Koncepti i shpejtimit maksimal të kthimit të investimit dhe leximi i fatit individual prej investitorit jashtë arsyetimit social të investimit (i cili mbetet realizimi i një qendre tregtare për shitje me pakicë) kanë prodhuar deri më tash - dhe pritet të thellojnë, krizën në këtë sektor. Për këtë arsye, rritja e aftësive të shitësve me pakicë mbetet çelësi i vetëm i përmirësimit të situatës, ndërsa beteja mes qendrave të mëdha të shitjeve me pakicë dhe dyqaneve të shpërndara do të mbetet një luftë konkurrence e pastër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›