Studimi i BB-së: Shumica e fshatarëve nuk kanë rrugë për të nxjerrë mallrat në treg
Gati gjysma e banorëve të zonave rurale të Shqipërisë thonë se mungesa e rrugëve të përshtatshme për të gjitha stinët ua heq mundësinë për të nxjerrë mallrat e tyre në treg, thotë një studim i kryer nga Banka Botërore. “Pavarësisht progresit mbresëlënës në zhvillimin ekonomik të arritur gjatë viteve të fundit, popullata shqiptare mbetet kryesisht rurale, ku varfëria vijon të jetë endemike. Një studim mbi varfërinë dhe shkaqet e saj doli në konkluzionin se pas punësimit dhe të ardhurave, shumë shqiptarë e konsiderojnë mungesën e infrastrukturës si një nga shkaqet kryesore të standardit të ulët të jetesës”, thotë Banka Botërore në një njoftim për shtyp. “49 për qind e prodhuesve në zonat rurale thanë se mungesa e mjeteve të transportit, mbi të gjitha rrugëve të përshtatshme për të gjitha stinët, qe problemi kryesor i aktivitetit të tyre tregtar. Ata thonë se rrugët e këqija janë edhe një prej shkaqeve të emigrimit nga zonat rurale në drejtim të zonave urbane, si dhe pengojnë shpërndarjen e duhur të shërbimeve arsimore e shëndetësore”,- thotë BB. Programi i Bankës Botërore ka financuar ndërtimin e rrugëve rurale për 26 bashkësi, ndërsa programi ka financuar edhe trajnimin e banorëve vendas për mirëmbajtjen e rrugëve. Qeveria shqiptare ka nisur një program për asfaltimin e rrugëve rurale dhe Banka Botërore ka pranuar të financojë një pjesë të kostos, por në total problemi nuk duket se është zgjidhur. Shqipëria ka nevojë për rreth 3 mijë kilometra rrugë fshati, të cilat kanë një kosto mesatare prej vetëm 40 mijë eurosh për kilometër. Ndërtimi i 3 mijë kilometrave rrugë kërkon 100-150 milionë euro dhe kjo duket kosto e përballueshme për qeverinë. Problemi është se rrugët rurale kanë një normë amortizimi që varion nga 15 në 25 për qind në vit, pra do të duhet të rindërtohen çdo 4-7 vjet. Për më tepër, prioriteti i të gjitha qeverive në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit ka qenë ndërtimi i rrugëve kombëtare, ndërsa rrugët rurale janë zhdukur gradualisht. Problemi tjetër është se prodhimet e pakta bujqësore nuk e justifikojnë si vlerë e shtuar ndërtimin e rrugëve në shumë raste, ndërkohë që vendimi për të ndërtuar rrugën e këtij apo atij fshati nuk varet aq shumë nga perspektiva e zhvillimit ekonomik të zonës se sa varet nga interesat politike të qeverive të ndryshme.
Preçi: “Banka e Shqipërisë të uli normën e interesit të lekut”
Ulja e normave të interesit është një kërkesë imediate për zhvillimet aktuale ekonomike e financiare të vendit. Duke bërë këtë sugjerim për bankën qendrore ekspertë të ekonomisë thonë se ky veprim lehtëson ndjeshëm kostot në ekonomi si edhe vë më mirë në eficensë depozitat. “Në kushtet kur bankat nuk kanë ku të investojnë, janë më të prirura të ofrojnë norma interesi. Pra duhet të kishte ulje të normave të interesit dhe jo rritje”,- thotë Zef Preçi, ekspert i ekonomisë. Ekspertët të cilët nuk ngurojnë të shigjetojnë bankat thonë gjithashtu se ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë do të ishte një lehtësim edhe për vetë sistemin bankar. “Fakti që për një periudhë të gjatë është mbajtur një nivel i lartë i normave të interesit më shtyn të mendojë, nuk kam evidencë për këtë, për një marrëveshje të heshtur mes bankave dhe vazhdimi i kontrollit të shumicës së depozitave nga një apo dy banka, trashëguar nga periudha para privatizimit, ndoshta i ka dhënë një avantazh i cili është një kosto plus mbi shtetin shqiptar dhe taksapaguesit shqiptarë”,- thotë Preçi. Aktualisht, norma bazë e interesit është 5.25 për qind, normë kjo e fiksuar në tetor 2009. Vitin e kaluar janë bërë dy ndërhyrje në janar dhe tetor duke i ulur interesat me 0.5 pikë të përqindjes.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 03.06.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.20%
12M 12-mujor 6.99%
6M 6-mujor 6.09%
3M 3-mujor 5.33%
1M 1-mujor 5.08%
1Ë njëjavor 4.89%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.63%
1Ë njëjavor 6.16%
o/n njëditor 6.00%
12M 12-mujor 8.73%
6M 6-mujor 7.73%
3M 3-mujor 7.01%
5 Qershor 2010