Bosch: “Situata e renduar politike po largon investitorët e huaj”
Ervin KOÇI
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Boscsh, i është rikthyer edhe një herë krizës politike në vend, por kësaj radhe duke e parë në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik.
Gjatë një takimi me donatorët dhe përfaqësues të qeverisë, Bosch ka kërkuar në emër të bizneseve të huaja që klima politike të jetë më favorizuese. Në raportet ndërkombëtare politika vlerësohet si një ndër shkaqet e frenimit të investimeve të huaja, ndaj apeli i ambasadorit vjen pikërisht kur vendi është i përfshirë prej një viti, në një krizë të vërtet politike. “Të gjithë donatorët shpresojnë që ambienti politik të nxisë më shumë zbatimin e programeve të miratuara. Donatorët kanë vijuar përpjekjet e tyre me sugjerimet përkatëse në grupet sektoriale që janë ngritur, por shumë prej tyre mendojnë se ka ende punë për të bërë. Shqipëria është një vend që po shkon drejt Bashkimit Europian dhe duhet të marrë përsipër që të përmirësojë edhe sistemin e prokurimeve. Ne do të presim përfundimin e vrojtimit për të dalë në një konkluzion, se si zhvillohen tenderët në Shqipëri”,- ka deklaruar dje kreu i OSBE-së, Robert Bosch. Në raportet e tyre donatorët kanë shprehur shqetësim edhe për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Qeveria edhe pse ka ndryshuar ligjet duke i dhënë përparësi kompanive për t’i kthyer në kohë paratë që i takojnë, sërish ky proces nuk ka funksionuar siç duhet, duke bërë që qeveria të mbetet borxh tek biznesi vendas dhe ai i huaj.
Tërheqja e investitorëve
Tërheqja e investitorëve të huaj është shpallur prioritet nga qeveria. Buxhetit të Kryeministrisë i është shtuar kohët e fundit një fond prej 80 milionë lekësh (rreth 800 mijë dollarë) në zërin “shpenzime korrente”. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, me botimin në Fletoren Zyrtare. Shuma prej 80 milionë lekësh do t’i shërbejë shtabit të kryeministrit për të lobuar në botë rreth imazhit pozitiv të vendit, si dhe për gjetjen e investitorëve të huaj. Burime zyrtare nga Ministria e Financave sqarojnë se fondi në fjalë do t’u jepet një pjesë të kompanive të huaja të specializuara në fushën e lobingut, ku bëjnë pjesë ish-politikanë karriere etj. Vendimi për shtimin e fondit është marrë nga Këshilli i Ministrave më 26 prill, me propozim të ministrit Genc Pollo, që mbulon inovacionin dhe teknologjinë e informacionit e të komunikimit. Në pikën 1 të vendimit thuhet se, “fondi 80 milionë lekë do të shërbejë për përballimin e shpenzimeve për shërbimet e kërkimit në fushën ligjore dhe lobingut, të cilat do të shërbejnë për thithjen e fondeve nga programet e ndihmës së huaj, përfshi dhe kompaktin nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit”. Gjithashtu, shuma në fjalë do të shërbejë për thithjen e investimeve të huaja direkte, nga SHBA-të dhe vendet e ndryshme të botës. Fondi prej 80 milionë lekësh u sigurua nga buxheti rezervë që mban qeveria, i cili përdoret për raste emergjente (apo katastrofash).
Qeveria
“Do ta kthejmë Shqipërinë në superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme”, - ka deklaruar disa kohë më parë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë fjalës së mbajtur në forumin “Crans Montana” që u zhvillua në Tiranë. Duke ftuar investitorët e huaj të investojnë në sektorin energjetik shqiptar, ai bëri me dijeni faktin se siguria e furnizimit me energji elektrike është prioritet absolut i qeverisë shqiptare. Ministri i Ekonomisë, ka përmendur faktin se vetëm në dy vitet e fundit janë dhënë koncesione të reja për prodhimin e 900 megavatëve energji, nëpërmjet hidrocentraleve, ndërkohë që ka të paktën 2000 megavat kapacitet energjetik që duhet të shfrytëzohet. Objektivi numër 1, sipas tij, mbi sektorin energjetik, është që të realizojë furnizimin me energji elektrike, duke mbështetur rritjen ekonomike me të paktën 6 për qind në vit. Ndërkohë që objektivi i tretë, sipas tij, dhe më i rëndësishmi, është kthimi i Shqipërisë në një superfuqi rajonale të energjisë së rinoveushme.
BEI, 50 milionë euro kredi për rrugët rurale në Shqipëri
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe qeveria shqiptare kanë nënshkruar dje një kredi për qëllim rehabilitimin e rrjetit sekondar dhe lokal rrugëve, me një shumë totale prej 50 milionë eurosh, duke përbërë kështu operacionin më të madh financiar nga BEI nënshkruar ndonjëherë në Shqipëri. BEI u përfaqësua nga Dario Scannapieco, zëvendëspresident i përgjegjës për operacionet në Itali, Maltë dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa qeveria shqiptare nga Ministri i Financave, Ridvan Bode. Projekti është pjesë e një programi të vazhdueshëm të rehabilitimin e 1500 km rrugë dytësore dhe lokale në të gjithë vendin, e cila përfshin projektimin, ndërtimin dhe mbikëqyrjen në Shqipëri. Kostoja totale e këtij projekti është rreth 140 milionë, bashkë-financuar me Komisionin Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa do të menaxhohet nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar. BEI është aktiv në Shqipëri që nga viti 1995 dhe deri më sot aktivitetin e përgjithshëm financimi është rreth 350 milionë euro. "Ne jemi të kënaqur me të vërtetë për të kontribuar në këtë program dhe në përgjithësi për të përmirësuar aktivitetin tonë me Tiranën",- vuri në dukje Scannapieco duke vlerësuar ndër të tjera se "kjo është një mënyrë vendimtare për të ndihmuar Shqipërinë, së bashku me të gjitha institucionet e tjera të përfshira, në përparimin e saj drejt integrimit evropian". BEI ka qenë aktive në Ballkanin Perëndimor që nga 1977 dhe sot është financuesja më e madhe ndërkombëtare në rajon. Gjatë dhjetë viteve të fundit, ajo ka financuar projekte me vlerë mbi 6 miliardë euro në këtë zonë. Fokusi i Bankës në Ballkanin Perëndimor ka qenë në zbatimin e transportit, energjisë, shëndetësisë dhe arsimit projekteve, mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe autoritetet lokale, industrisë dhe shërbimeve, me ujë dhe kanalizimeve.
5 Qershor 2010