Shehu: “Kërkesa e PS-së për të marrë dieta është e paligjshme”
Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, deklaroi dje se nuk është e ligjshme kërkesa e Partisë Socialiste për të marrë dieta për ditët e grevës së urisë. Sipas tij, greva e urisë ishte e paligjshme dhe deputetët e Partisë Socialiste nuk mund të marrin as dieta, dhe as paga. Ai sqaroi se edhe Kodi i Punës, në nenin 197, thotë se “grevë mund të bëjnë vetëm sindikalistët”. Por po ky kod, vijoi Shehu, thotë se “edhe kur greva është e ligjshme, gjatë zhvillimit të saj pezullohet e drejta e pagës”. Deputeti demokrat, kërkesën e Partisë Socialiste për dieta e ka cilësuar nga ana e tij kërcënim. “Kërcënimi i tyre për t’u shpërblyer me dieta për ditët e grevës ishte shfaqja më banale e një deputeti që ka për mision jo dietat e tij të paligjshme, por përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Kërkesa e deputetëve të grevës për para dhe dieta është një kalim nga një qëndrim i paligjshëm në një paligjshmëri tjetër”, - u shpreh Shehu, duke shtuar: “Protesta e tyre për dietat ishte qesharake dhe e turpshme. Edhe kur vijnë në Parlament, ata merren vetëm me interesat e tyre personale meskine. Gjatë gjithë këtyre ditëve ata kanë kërcënuar administratën e Kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta për ditët e grevës, në kundërshtim me ligjet dhe statusin e deputetit. Në hakmarrje për mosmarrjen e dietave për ditët e grevës ata shpifën dhe trilluan, të nxitur nga interesa të paligjshme e të ulëta”.
Imami: “Do të rritim kapacitetet për eliminimin e municioneve”
Zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kanë inspektuar nga afër linjat e demontimit të municioneve në Kombinatin Mekanik Ushtarak të Poliçanit, ku shoqëroheshin edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, kundëradmiral Kristaq Gerveni. Me këtë rast, në Kombinatin e Poliçanit kishin ardhur edhe përfaqësues të kompanisë amerikane “CUBIC”, përfaqësues të pushtetit vendor, ushtarakë të lartë dhe drejtorë nga Ministria e Mbrojtjes etj. Nga ana e tij, drejtori i kombinatit, Lulëzim Gojka, i njohu të pranishmit me punën e bërë dhe arritjet e shënuara në procesin e demontimit të municioneve të tepërta, si dhe problemet e evidencuara gjatë realizimit të këtij procesi. “Procesi i demontimit të municioneve të tepërta është një proces i vështirë, delikat, por edhe me një dinamikë të lartë të punës, ka theksuar z. Imami dhe ky proces përbën një nga objektivat më parësore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Për këtë qëllim është ngritur një bord drejtues dhe është miratuar një plan veprimi i mirëdetajuar, i cili po ndiqet dhe po zbatohet me rigorozitet nga të gjitha strukturat përkatëse në Ministri”, - tha ministri Imami. Sipas tij, problemi i demontimit të municioneve është një proces mjaft serioz jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit tonë. Ai përmendi dhe rezultatet konkrete të punës së bërë deri tani, duke theksuar se vetëm në muajin maj janë asgjësuar në total 1747 tonë municione, nga të cilat: 957 tonë në poligone dhe 790 tonë janë demontuar në uzina, me një mesatare 87-90 tonë në ditë. Gjithsej, gjatë 5-mujorit të parë, janar-maj, janë asgjësuar 5215 tonë. Ndërsa Meta tërhoqi vëmendjen për të rritur më shumë kujdesin dhe kërkesën e llogarisë për forcimin e masave të sigurimit teknik, me qëllim që ky proces të realizohet jo vetëm në kohë, por edhe pa asnjë incident dhe humbje në njerëz.
Berisha pret në një takim misionin e Bankës Europiane të Investimeve
Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje në takim misionin e Bankës Europiane të Investimeve të kryesuar nga Dario Scannapieco, zëvendëspresident i Bankës. Kryeministri Berisha e ka vlerësuar të rëndësishëm kontributin e Bankës Europiane të Investimeve për financimin dhe asistencën teknike për vendin tonë në një sërë projektesh të shtrira kryesisht në sektorin e infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizimeve, arsim, si edhe në sektorin energjetik. Kryeministri Berisha përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Financës dhe Bankës Europiane të Investimeve për financimin e Projektit të Rrugëve Rurale me një vlerë prej 50 milionë eurosh. Zëvendëspresidenti Scannapieco, duke u ndalur në progresin e arritur në Shqipëri, theksoi në mënyrë të veçantë punën e qeverisë në drejtim të përcaktimit të qartë të prioriteteve të zhvillimit të vendit, si dhe të identifikimit të projekteve për bashkëpunim.
Scannapieco shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e Bankës Europiane për bashkëpunim të mëtejshëm për financim të projekteve të ardhshme, si projekti i rrugës Tiranë – Elbasan, projekti i bypass-it të Fierit, projektit të mbështetjes dhe financimit të SME, të vazhdimit të financimit të projekteve në infrastrukturën ujore dhe energjetike etj. Gjithashtu, krahas financimit të projekteve dhe mbështetjes me asistencë teknike, Scannpieco vuri në dukje se projekti i rrugës Tiranë – Elbasan është projekti i parë, i cili do të realizohet në kuadrin e programit të “Instrumentit të Financimit të Ballkanit Perëndimor”. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e tij për rëndësinë e rrugës Tiranë – Elbasan jo vetëm si një segment i rëndësishëm i zhvillimit të Korridorit 8-të, por dhe si një segment i rëndësishëm i zhvillimit të Boshtit të Jugut. Berisha nënvizoi faktin se financimi dhe bashkëpunimi në projektet e infrastrukturës rrugore, të mbështetjes së investitorëve në fushën e energjisë, të mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, janë të një rëndësie vitale për zhvillimin e rrjetit të infrastrukturës dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.
5 Qershor 2010