E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim 10 milionë eurove të buxhetit të vitit 2009 të Kuvendit



Eneida Jaçaj
Burime pranë selisë rozë bëjnë me dije se pritet që gjatë ditës së hënë të depozitohet në Kuvend kërkesa e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar buxhetin e Parlamentit me arsyen se po shpërdorohet nga kryetarja Jozefina Topalli. Buxheti i Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2009 është afërsisht 10 milionë euro. Mësohet se propozimi për ngritjen e këtij komisioni ka ardhur nga deputeti Erion Braçe. Bëhet me dije se vendimi për hetimin e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, ka ardhur për shkak se në mbledhjet e komisionit, që merret posaçërisht me këtë çështje, nuk njoftohet të marrë pjesë asnjëri nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, përkatësisht Erion Braçe dhe Mimi Kodheli.
Shpenzimet
Akuza për shpërdorim të financave të Parlamentit nga kryetarja Topalli është bërë në seancën e ditës së enjte nga deputeti socialist Taulant Balla. Deputeti Balla e ka akuzuar Topallin se merr 17 milionë lekë në vit për të paguar apartamentin në Shkodër, ndërsa harxhon rreth 27 mijë euro për udhëtimet jashtë shtetit. “Zonja drejtuese e seancës, që je bërë si brigadierja Lume te filmi ‘Parullat’. Ti di të përdoresh gomën, jo lapsin. Ti di të fshish, jo të ndreqësh. Nuk do të vonojë dita që transparenca t’i kthehet Kuvendit të Shqipërisë dhe shqiptarët të marrin vesh që t’i harxhon 17 milionë lekë në vit për të paguar një apartament në Shkodër dhe 27 mijë euro dieta për rrugët jashtë shtetit”, - është shprehur Balla.
Pagat
Por akuzat ndaj Topallit kanë qenë të njëpasnjëshme. Socialistët, kryetaren e Kuvendit nuk e akuzojnë vetëm për shpërdorim të buxhetit të këtij institucioni, por e kanë akuzuar edhe për mbajtjen e rrogave të tyre të muajit maj. Në seancën e kaluar, deputetët e PS-së e kanë akuzuar Topallin se po u mban rrogën me qëllimin për të sulmuar opozitën. “Ne kemi menduar se në tentativë për të shtypur opozitën, kryeministri nuk ka pasur konkurrentë, por këta muajt e fundit je ti që nuk ke konkurrencë, madje ia ke kaluar edhe bosit tënd. Ti na mat orarin, ti na vjedh rrogat tona; ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe demokracisë”, - është shprehur deputeti Arben Ahmetaj në adresë të Topallit.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›