Reagimi i Topallit: Akuza e Ballës, trillim vulgar
TIRANË – “Kryetarja e Kuvendit nuk ka marrë asnjë qindarkë, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, për qira apartamenti, që nga momenti që është zgjedhur në këtë post”. Ky ka qenë reagimi i zyrës së Kuvendit pas akuzave që bëri deputeti socialist, Taulant Balla, ndaj zonjës Topalli për abuzime financiare. Përmes një deklarate të shpërndarë mbrëmë thuhet se “deputeti Balla bëri shpifjen e radhës kundër kryetares së Kuvendit duke thënë se Kuvendi paguan qira për një apartament në Shkodër”. “Kjo është një shpifje e ulët dhe trillim vulgar”, - thuhet në reagimin e Kuvendit. “Përsa më sipër, gjithçka është e dokumentuar në zyrat e Financës, është lehtësisht e verifikueshme dhe hedh poshtë trillimin e paskrupullt të deputetit shpifës”, - thekson deklarata.
Në seancën parlamentare të ditës së enjte, deputeti i PS-së, Taulant Balla akuzoi kryetaren e Kuvendit se ka marrë një shumë prej 17 milionë lekësh për të paguar qiranë e banesës së saj në Shkodër. Akuza erdhi pas përplasjeve mes deputetëve të PS-së dhe kryeparlamentares Topalli në lidhje me trajtimin financiar të deputetëve të opozitës gjatë muajit të kaluar, pikërisht në kohën kur 22 deputetë socialistë u ngujuan në grevë urie.
5 Qershor 2010