Studimi i ISHP-së, verdhëza po rrezikon gratë shtatzëna
Verdhëza rrezikon gratë shtatzëna, të cilat e kanë më të vështirë se pacientët e tjerë përballimin e sëmundjes. Kjo, pavarësisht stadit ku mund të ndodhet virusi, në stadin A, B apo C. Rreziku i prekjes nga virusi edhe te gratë shtatzëna është vënë në dukje nga ISHP-ja, i cili pak kohë më parë ka publikuar edhe një studim të titulluar “Prevalenca e virusit të hepatitit te gratë shtatzëna”. Madje ISHP-ja sqaron se numri i grave shtatzëna të prekura nga këto lloje të hepatitit është i konsiderueshëm. Specialistët pohojnë se vendi ynë hyn tek ato vende që kanë një numër të lartë të të prekurve nga hepatiti A, B dhe C. Hepatiti A përbën numrin më të madh të pacientëve të prekur, ndërsa më problematik për gratë shtatzëna është hepatiti B dhe C. Sipas mjekëve, gjatë shtatzënisë gratë duhet të kryejnë analizat për të shmangur prekjen nga virusi. Shumica e grave shtatzëna nuk kryejnë asnjë analizë para shtatzënisë për të parë ecurinë e shëndetit të tyre, pavarësisht rekomandimit të mjekëve. Kjo bëhet shkak për probleme të mëvonshme shëndetësore, që çojnë edhe në abortimin e fëmijës. Mjekët shpeshherë këshillojnë gratë për kryerjen e analizave, por ato, duke parë gjendjen e tyre shëndetësore momentale në gjendje të mirë, e neglizhojnë kryerjen e vizitave mjekësore. Mënyrat e marrjes së virusit janë të shumta. Hepatiti B merret nëpërmjet gjakut të infektuar e kontaktit seksual, ndërsa hepatiti C merret përmes kontaktit direkt me gjakun. Vaksinimi kundër hepatitit B është masa më e mirë mbrojtëse. Shifrat në botë flasin për 1 milion të infektuar me hepatit B në vit dhe për hepatitin C raportohen rreth 20 mijë të infektuar çdo vit.
E. Sako
27 Shkurt 2008