Qumështi, kur është i dëmshëm për shëndetin tuaj
Mostoleranca e qumështit nga organizmi vjen si rezultat i mungesës së një enzime, ndërsa mostolerimi i qumështit si alergji shkaktohet nga reaksioni i sistemit mbrojtës kundër proteinave që ndodhen në qumësht. Këto dy veprime dallohen nga njëri-tjetri. Në rastin e parë mbasi keni pirë qumështin ai qëndron në zorrë nga 30 minuta deri në dy orë derisa të fermentohet për veprim të baktereve duke shkaktuar fryrje të barkut, gaz, kruarje të anusit, shqetësime në zorrë ndërsa shfaqet më shumë me rritjen e organizmit. Sa më i madh në moshë është individi, aq më shumë nuk e toleron qumështin. Ndërsa në rastin e dytë qumështi shkakton një diarre të rrufeshme brenda pak minutash nga pirja e tij saqë shpesh shumë njerëz e përdorin për t’i ndihmuar që të jashtëqitin. Kjo mostolerancë u zbulua nga mjekët në vitin 1960 dhe vjen si rezultat i mungesës së një enzime që prodhohet apo gjendet në sipërfaqe të qelizave të zorrës. Kjo enzimë duhet të zbërthejë praktikisht “Latosion” (karbohidrat) në “Glukosio” e “Galatosio” që janë dy përbërësit e saj. Pra, vetëm në këtë formë qumështi mund të jetë i asimilueshëm nga zorra. Enzima që kryen këtë reaksion quhet “Latasi”.
Arsyet pse mungon kjo enzimë
Që me lindjen tonë, trupi ynë prodhon ose mund të ketë një sasi të caktuar enzimash “latasi”, e cila shërben për të zbërthyer qumështin që pimë nga nëna në Glukosio e Galatosio. Por me rritjen e organizmit dhe shkëputjen nga gjiri i nënës, kjo enzimë fillon të mungojë pjesërisht derisa nuk ekziston më, duke shkaktuar edhe problemin e mostolerimit të qumështit. Sipas studimeve, kjo kohë dhe mosha është e ndryshme në njerëz të ndryshëm dhe akoma më e ndryshme në popuj të ndryshëm të globit. Për shembull, 80 për qind e afrikanëve me origjinë afrikane nuk prodhojnë “Latasi”. Ndërsa 80 për qind deri në 100 për qind e indianëve amerikanë nuk prodhojnë këtë enzimë, 90 për qind deri 100 për qind e aziatikëve amerikanë nuk e prodhojnë, në Itali 71 për qind e siçilianëve nuk prodhojnë këtë enzimë, kurse në veri po të Italisë 51 për qind, ndërsa në vendet veriore të Europës sidomos nordikët e prodhojnë me shumicë dhe nuk kanë probleme me pirjen e qumështit.
Pasojat në zorrë
Kur ky qumësht nuk asimilohet nga organizmi, ai shkakton probleme në zorrë. Qumështi qëndron nga 30 minuta deri në 2-3 orë aty duke u fermentuar nga bakteret që ndodhen në zorrë dhe duke çliruar gaz (hidrogjen, metan). Ai gjithashtu shkakton dhembje të ijeve dhe fryrje barku. Qumështi dhe derivatet e tij përmbajnë latosio kush më shumë e kush më pak prandaj duhen evituar kur organizmi ka një problem të tillë. Përjashtim këtu bën kosi, i cili ka rreth 30-40 për qind më pak se gjithë të tjerat latosio dhe për më shumë në kos gjendet një enzimë “Latasi” (betagalattosidasi) që aktivizohet në zorrë dhe bën të mundur zbërthimin e Latosios në Glukosio e Galatosio dhe asimilimin e tyre prej zorrës. Pra, në këtë rast kosin mund ta pimë, pasi vetëzbërthehet pa ndihmën tonë, njësoj siç vetëzbërthehet sallata, perimet, zarzavatet dhe frutat. Ndërsa kur kemi alergji ndaj qumështit (latosio) kemi një reaksion të sistemit imunitar duke prodhuar “istaminën” për të mbrojtur organizmin nga substanca që kemi ngrënë. Shenjat e këtij reaksioni mund të jenë fryrje të buzëve ose të gjuhës, kruarje në trup ose astëm dhe reaksioni i nxjerrjes jashtë të këtij ushqimi është i menjëhershëm me diarre akute. Me fëmijët e vegjël ndodh rrallëherë që të kenë njërin ose tjetrin problem, që është një problem i madh për rritjen e tij, pasi në atë moshë nuk ka shumë alternativa ushqimi, gjë që kërkon një diagnostikim dhe ushqime alternative nga specialisti.
Qumështi
Qumështi gjendet në ushqimin e përditshëm të çdo moshe, duke na shoqëruar deri në plakje, nga biberoni deri te tasi me biskota e qumësht. Mrekullia e qumështit është që di të përshtatet dhe të rishpiket në aq shumë mënyra të ndryshme sa është e pamundur t’i listosh të gjitha: gjalpë, ajkë, kos, djathë, pije, likere, gjizë, karamele, marmallata, pudingje, krem etj. dhe me këtë u ofron të gjithëve një shumëllojshmëri zgjedhjesh në varësi të shijeve dhe preferencave të ndryshme. Jemi bërë të patolerueshëm ndaj qumështit, e përdorim atë kudo. Por, ndonjëherë gabojmë përzierjen. Qumështi shkon shumë me drithërat, por urren kafenë. Sapo mbërrijnë në stomak drithërat ngadalësojnë koagulimin
(mpiksjen) e qumështit, mesazhet që na vijnë nga stomaku janë të qarta, ato shfaqen me keqfunksionimin e aparatit tretës. Por përzierja më e keqe është kapuçinoja dhe makiatoja ( kafe e përzier me qumësht), pasi përzierja e yndyrave të qumështit me kafeinën shkakton një dëmtim të vërtetë të stomakut. Në të kundërt, qumështi i papërzier ka përbërës me koeficientë të lartë tretës, me kusht që të mos keni probleme me laktozën. Tregu i përgjigjet më së miri kërkesave të konsumatorëve, duke ofruar varietete të ndryshme qumështi: jo laktozë, të pasuruar me vitamina, të cilësisë së lartë(me shumë proteina). Megjithatë, kualiteti nuk është kurrë ai i një qumështi të vërtetë, çelësi i mirëqenies është: ushqim natyral dhe prodhim i limituar. Siguria ushqimore është thelbësore, por në të vërtetë çfarë vlere ushqyese mund të ketë një qumësht i prodhuar nga lopë të seleksionuara për të bërë dhjetëra litra qumësht çdo ditë, të blinduara nga lindja deri në vdekje në një stallë, të ushqyera me produkte kimike?
Varietetet e qumështit
Qumështi i plotë (biologjik)
Është qumështi në formën e tij klasike. I përpunuar brenda 48 orëve në makinën mjelëse. Përmbajtja minimale e yndyrave e kalon vlerën 3,5 për qind. Mund të jetë i pasur me vitaminë B.
Pjesërisht i skremuar
Mënyra e konservimit është e njëjtë me atë të qumështit të freskët. Ajo që ndryshon është përmbajtja e yndyrave, e cila zvogëlohet 1,6 për qind. Vlerat ushqyese janë të njëjta me atë të qumështit të freskët, përveç yndyrave. Mund të jetë i pasur me vitaminë A dhe D.
I skremuar
Sasia e yndyrave zbret në mënyrë drastike duke u bërë më pak se 0,5 për qind. Në mënyrë paralele zvogëlohen dhe vlerat ushqyese. Pasurimi me vitaminën A kompenson disi humbjet e shkaktuara nga heqja e yndyrave.
I homogjenizuar
Yndyra e qumështit i nënshtrohet një presioni të lartë dhe më pas kalohet në vrima shumë të holla, rruazat lipidike prishen. Në këtë mënyrë rritet në mënyrë të ndjeshme tretshmëria, por nuk ndryshon ndërveprimi me përbërësit e tjerë.
I mikrofiltruar
Procesi i mikrofiltrimit na lejon të eliminojmë pothuajse të gjitha bakteret. Me këtë teknikë, qumështi mund të konservohet për një periudhë më të gjatë.
UHT
Trajtohet me temperaturë shumë të lartë dhe paketohet në enë sterile. Kjo mënyrë konservimi e lejon të mbahet edhe tre muaj jashtë frigoriferit, por e varfëron shumë nivelin ushqyes të qumështit.
I koncentruar
Qumështi zihet derisa avullon dhe më pas shtohet sheqer (sakarozë) në një përqindje që shkon nga 40-45 për qind. Është i detyrueshëm pasurimi i qumështit me vitaminë A. Përdoret dendur në pasticeri.
Pluhur
I dezhidratuar dhe i pasur me vitamina mund të konservohet për një kohë shumë të gjatë. Përmbajtja e yndyrave varion nga 0,8 deri në 26 për qind.
I aromatizuar
Aromatizimi i qumështit të freskët me përbërës të ndryshëm. Më i përhapuri është ai me çokollatë. Aromatizues të tjerë janë: kafeja, vanilja, frutat. Në këtë lloj qumështi vetëm në raste shumë të rralla mund të përmbajë vlera ushqyese. Në treg ka dhe pije me qumësht dhe lëng frutash.
Të rejat nga shkenca/ Jogurti zvogëlon peshën trupore
Studimet e shumta kanë dëshmuar dhe vërtetuar se me marrjen më të vogël të kalciumit shëndoshesh më shpejt, për shkak se qelizat yndyrore bëhen më të mëdha dhe më të yndyrshme. Duke shtuar jogurtin në të ushqyer, përshpejtohet humbja e peshës trupore dhe zvogëlohet madhësia e stomakut. Personat që pinë jogurt humbin 81 për qind më shumë yndyrë nga stomaku sesa personat që nuk e pinë atë. Profesori Michael Zemel, një ekspert ushqimi nga universiteti i shtetit Tennesy të SHBA-së, thotë që kjo lloj diete është dy herë më efikase për mirëmbajtjen e masës muskulore, sepse kur personat mbajnë dietë për t’u dobësuar ata dëshirojnë të humbin masën yndyrore e jo atë muskulore. Në studimin klinik, shkencëtarët kanë analizuar 34 persona të shëndoshë, por në gjendje të mirë shëndetësore, të cilët i kanë ndarë në dy grupe. Analizimi ka zgjatur për 12 javë rresht. Grupi i parë ka pirë tri herë në ditë nga 180 gr jogurt të payndyrshëm, duke siguruar rreth 1.100 miligramë kalcium në ditë. Grupi i dytë ka marrë vetëm një porcion të jogurtit dhe ka siguruar marrje të kalciumit prej 400-500 miligramë në ditë. Që të dy grupet kanë marrë nga 500 kalori më pak sesa është e zakonshme për të stimuluar humbjen e peshës trupore. Siç edhe është pritur, të dy grupet e të anketuarve kanë humbur peshë trupore, por humbja ka qenë dukshëm më e madhe tek grupi që ka pirë më shumë jogurt.
Përgatiti: JONIDA TASHI
27 Shkurt 2008