E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO dhe sizmologjia shqiptare

Nga Prof. Shyqyri ALIAJ*

Vlerësimi i duhur ose më mirë të themi i saktë i rrezikut sizmik (i rrezikut nga tërmetet) për vendet e Ballkanit Perëndimor është objektivi i projektit të NATO-s, Programi “Shkenca për Paqe e Siguri”, i titulluar “Harmonizimi i Hartave të Rrezikut Sizmik për Vendet e Ballkanit Perëndimor (2007-2010)”, të inauguruar më 2 Tetor 2007 në Podgoricë, Mali i Zi. Marrin pjesë gjashtë vende partnere të NATO-s: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, nën drejtimin e Turqisë si vend anëtar i NATO-s. Për realizimin e Projektit do të kontribuojnë 12 institucione shkencore nga të gjithë vendet pjesëmarrëse. Nga Shqipëria do të kontribuojnë Instituti Sizmologjik dhe Qendra e Studimeve Gjeografike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Tërmetet janë një dukuri gjeologjike që kallëzojnë qartë dinamikën e planetit në të cilin jetojmë; ata shprehin direkt energjinë e jashtëzakonshme që Toka si një planet i ri fsheh në brendësi të saj. Tërmetet e fortë rrezikojnë jetën e njerëzve, dobësojnë ekonominë dhe kërcënojnë sigurinë. Kjo kategori tërmetesh ka sjellë dëmtime të mëdha për njerëzimin në rrjedhë të shekujve. Kështu, vetëm këta 500 vjetët e fundit tërmetet kanë shkaktuar mbi 7 milionë viktima njerëzore dhe humbje të jashtëzakonshme të pasurisë së miliona njerëzve.
Kjo pjesë e Gadishullit Ballkanik, në krahasim me pjesën tjetër të Evropës karakterizohet nga një rrezik e risk tërmetor shumë i lartë. Vetëm vendi ynë gjatë shekullit të kaluar është goditur nga 15 tërmete të forte me magnitudën përkatëse - M, si vijon: 1905 në Shkodër (M=6.6), 1911 në Liqenin e Ohrit (M=6.7), 1912 në Mokër (M=6.0), 1919 në Leskovik (M=6.1), 1920 në Tepelenë (M=6.4), 1921 në Peshkopi (M=5.8), 1926 në Durrës (M=6.2), 1930 në Llogora-Vlorë (M=5.8), 1931 në Korçë (M=5.8), 1942 në Peshkopi (M=6.0), 1959 në Lushnjë (M=6.2), 1960 në Korçë (M=6.4), 1962 në Fier (M=6.0), 1967 në zonën Librazhd-Dibër (M=6.6), dhe 1979 në rajonin kufitar Shqipëri-Mali i Zi (M=7.0).
Në këta 20 vitet e fundit është evident rritja e riskut sizmik për Rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila është pasojë e mbipopullimit intensiv dhe e rritjes së vlerave ekonomike, kryesisht në zonat me nivel të lartë të rrezikut sizmik, siç është Zona Metropolitane Tiranë-Durrës.
Tërmetet janë një dukuri e paevitueshme dhe njerëzit janë përpjekur të bashkëjetojnë me ta, duke kërkuar rrugë më të përshtatshme për t’i bërë sa më pak të rrezikshëm. Kërcënimi nga tërmetet kërkon domosdoshmërish kryerjen e një vlerësimi të saktë të rrezikut sizmik për Rajonin e Ballkanit Perëndimor, që përbën hapin themelor për mbrojtjen dhe sigurinë në Rajon.
Projekti “Harmonizimi i Hartave të Rrezikut Sizmik për Vendet e Ballkanit Perëndimor (2007-2010)” u iniciua në kuadrin e Iniciativës për Përgatitjen dhe Pengimin e Fatkeqësive të Paktit të Stabilitetit të Euvropës Juglindore. Vlerësimet për rrezikun nga tërmetet, në vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende larg standardeve Evropiane. Hartat ekzistuese në fuqi për rrezikun sizmik të Rajonit të Ballkanit Perëndimor janë të vjetruara, nga se ka lindur nevoja urgjente për përgatitjen e tyre në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian (me Eurokodet), edhe pse vlerësimi e administrimi i riskut duhet të bazohet në harta të besueshme të rrezikut sizmik.
Objektivat kryesore teknike të Projektit “Harmonizimi i Hartave të Rrezikut Sizmik për Vendet e Ballkanit Perëndimor (2007-2010)” janë përmirësimi dhe integrimi i të dhënave bazë sizmologjike e sizmotektonike dhe përgatitja e hartave të rrezikut sizmik, të harmonizuara me standardet Evropiane (Eurokodi 8).
Vendet pjesëmarrëse do të bashkëpunojnë ngushtësisht në nivel shkencor dhe në veçanti shkencëtarët e rinj do të trajnohen në fushën e vlerësimit të rrezikut sizmik, me synim që të përmirësohet struktura e kapaciteteve kërkimore dhe të zvogëlohet “humbja e trurit” në Rajon për llogari të emigrimit jashtë këta vitet e tranzicionit.
Rezultatet e projektit do t’u vihen në dispozicion përdoruesve në këto vende, që do të përfshijnë kryesisht inxhinierët sizmik dhe planifikuesit urban. Edhe agjencitë e mbrojtjes civile do t’i shfrytëzojnë hartat e rrezikut sizmik të përpiluara në kuadër të këtij projekti, për të vlerësuar riskun sizmik dhe risqet e tjerë që mund të ndodhin nga tërmetet.
Objektivat kryesore te Projektit janë përdorimi, për të gjithë Rajonin, i një GIS-i kompleks për bazën e të dhënave të katalogut të tërmeteve, të sizmotektonikës dhe të rrezikut sizmik, përdorimi i metodologjive shkencore moderne që do të sigurojë harmonizimin me standardet Evropiane të hartave të rrezikut sizmik të vendeve pjesëmarrëse, me qëllim që të eliminohen diferencat ekzistuese në nivelet e rrezikut sizmik për zonat kufitare të vendeve pjesëmarrëse, përmirësimi i rrjeteve sizmike monitoruese ekzistuese përmes pajisjes me stacione të lëkundjeve të forta e të dobëta në vendet pjesëmarrëse, përshtatja e rregulloreve sizmike të vendeve pjesëmarrëse, duke i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian (me Eurokodin 8), vendosja e një bashkëpunimi shkencor aktiv midis vendeve pjesëmarrëse dhe trajnimi i shkencëtarëve të rinj në problematikën e rrezikut sizmik nga tërmetet, si dhe publikimi i rezultateve kryesore të Projektit dhe i hartave të përpiluara të rrezikut nga tërmetet, me qëllim që të njihen me to komuniteti shkencor dhe ai inxhinierik.
Për përmirësimin e sigurisë sizmike dhe të administrimit të riskut sizmik, agjencitë e mbrojtjes civile, agjencitë për planifikimin urban dhe autoritetet për legjislacionin e kodit të projektimit sizmik do të përdorin hartat e harmonizuara e të përpiluara në kuadër të Projektit. Ai do të realizohet përmes 9 paketave të punës gjatë 3 vjetëve 2007-2010, të cilat janë përgatitja dhe përpilimi i katalogut të tërmeteve, përcaktimi dhe karakterizimi i zonave të burimeve sizmike, përcaktimi i modeleve të parashikimit të lëkundjeve të truallit, vlerësimi i rrezikut sizmik, përgatitja e sfondit të GIS-it dhe e hartave tematike si dhe e hartave për parametrat e caktuar të lëkundjeve të truallit, blerja dhe instalimi i pajisjeve të reja, blerja e kodit kompjuterik për llogaritjen e rrezikut sizmik dhe zbatimin në GIS, trajnimi i shkencëtarëve të rinj si dhe koordinimi i aktiviteteve shkencore dhe përgatitja e informacioneve dhe rezultateve të Projektit.
Rezultatet përfundimtare të Projektit për zbatim praktik nga përdoruesit në të gjithë vendet pjesëmarrëse do të jenë qe kompjuterat dhe mbështetja tjetër teknike e përdorur në Projekt, së bashku me paketën e kodit kompjuterik për llogaritjen e rrezikut sizmik do të instalohen në të gjithë institucionet pjesëmarrëse. Po ashtu, të gjithë instrumentet sizmike të blerë nga Projekti do të instalohen për përdorim në territoret e vendeve pjesëmarrëse, aftësitë kërkimore në institucionet pjesëmarrëse në Projekt do të përforcohen me krijimin e grupeve të punës dhe nëpërmjet administrimit të bashkëpunimit shkencor në Rajon.
d. Hartat e rrezikut sizmik si rezultat vendimtar i Projektit do të publikohen si në botimet shkencore ashtu edhe në konferencat, me falënderimin e duhur për mbështetjen e NATO-s.
e. Hartat e rrezikut sizmik gjithashtu do të jenë bazë për interpretimin e veprimit sizmik në strukturat ndërtimore në nivel nacional në përputhje me rekomandimet e Eurokodit 8.
f. Rezultatet e Projektit do t’u vihen në dispozicion të gjithë përdoruesve në vendet pjesëmarrëse.
Përdoruesit e Projektit si inxhinierët sizmik dhe projektuesit, planifikuesit urbanë, agjencitë e mbrojtjes civile dhe agjencitë nacionale për përgatitjen dhe pengimin e fatkeqësive do të përdorin hartat e rrezikut nga tërmetet për të vlerësuar riskun sizmik dhe gjithashtu për të identifikuar risqet e tjerë që mund të shkaktohen gjatë rënies së tërmeteve. Projekti do t’ju ofrojë Agjencive të Mbrojtjes Civile informacione në kohë reale për tërmetet e mëdhenj, që është i nevojshëm për një përgjigje të shpejtë të institucioneve të specializuara, e cila çon në përmirësimin e sigurisë. Gjithashtu kompanitë e sigurimit mund t’i përdorin rezultatet kryesore të Projektit në politikën e siguracionit si një mjet për zvogëlimin e riskut nga tërmetet.
Financimi total i Projektit nga NATO është 640.000 Euro. Shqipëria ka nga NATO një financim prej 97.800 Euro, nga të cilat 50.500 Euro për pajisje, kompjutera dhe kodin kompjuterik; 14.000 Euro për trajnimin e kërkuesve të rinj; 14.000 Euro për pjesëmarrje në takimet e konferencat shkencore; 10.800 Euro për bursa për kërkuesit e rinj dhe pjesa tjetër për libra e revista, ekspertë e të tjera.
Puna kërkimore, sipas grupeve të punës, për t’u kryer nga punonjësit tanë shkencorë për Projektin është pa shpërblim nga NATO, veçse llogaritet si kontribut nacional i Shqipërisë, ku përfshihen pagat, pajisjet që shfrytëzohen për Projektin si dhe shpenzimet për energjinë, materialet e konsumit etj., të cilat janë vlerësuar 74.600 Euro.
Rezultatet e Projektit do të kenë një rëndësi sinjifikative rajonale dhe kombëtare për vendet e përfshira në të. Është paraparë që në vitin 2010, viti i fundit, Projekti do të rezultojë me publikimin e një harte rajonale të harmonizuar të rrezikut sizmik, e cila do të ndihmojë në minimizimin e humbjeve njerëzore dhe të çrregullimeve (problemeve) sociale e ekonomike, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e Rajonit të Ballkanit Perëndimor.

*Drejtor i Projektit të NATO-s për Sizmologjinë shqiptare

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›