Lëndët me zgjedhje, koeficientët e propozuar për tetë fakultetet e Tiranës
Dhori Kule: “Koeficientët, të njëjtë për të gjithë maturantët”.
Jonida Tashi
Tetë fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar që koeficienti i lëndëve me zgjedhje të jetë i njëjtë për të gjitha shkollat e mesme përveç Fakultetit të Mjekësisë, i cili i ka përcaktuar koeficientët sipas llojit të shkollave të mesme. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i ka dërguar dje Ministrisë së Arsimit propozimet për koeficientët e lëndëve me zgjedhje, kuotat e pranimeve për vitin akademik 2008-2009, tarifat e shkollimit dhe kriteret specifike. Kuotat e pranimeve për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, me kohë të pjesshme dhe kuotat e trojeve për vitin akademik 2008-2009 do të jenë gjithsej 5826. Sipas rektorit Kule, koeficientët e lëndëve me zgjedhje nuk duhet të jenë më sipas gjimnazeve nga vijnë maturantët, por sipas lëndëve përkatëse. Kjo bëhet për të eliminuar diskriminimin e maturantëve. Në zbatim të së drejtës dhe detyrimit që u përcaktohet institucioneve të arsimit të lartë, që nga Neni 3 dhe 33 i Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Kule ka konfirmuar se pamundësinë e diferencimit të shkollave të mesme sipas tipit apo vendndodhjes e realizojmë indirekt, vetëm nëpërmjet diferencimit të koeficientëve të lëndëve me zgjedhje apo të detyrueshme. “Gjykojmë se rezultatet e provimeve të detyrueshme dhe provimeve me zgjedhje na japin dhe informacion për nivelin e shkollave të mesme”, - ka sqaruar Dhori Kule.
Propozimet e fakulteteve
Universiteti i Tiranës ka bërë publike edhe propozimet për kriteret specifike sipas fakulteteve. Kështu, Fakulteti i Mjekësisë propozon që kandidatët për studentë të kenë notën mesatare të katër viteve 8.5 e lart për grup lëndët Biologji, Kimi, Fizikë e Matematikë. Fakulteti i Ekonomisë ka propozuar që lënda e detyruar Matematikë të ketë koeficientin 1.3, ndërsa lënda e Letërsisë të ketë koeficientin 1. Ndërsa Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka pasur më shumë propozime për kandidatët për studentë. Së pari, ky fakultet ka propozuar që kandidatët për studentë të kenë notë mesatare të katër viteve nga nota 8 e lart. Së dyti, kandidatët në programin e studimit në gjuhën angleze dhe në programin e studimit në gjuhën frënge duhet të japin si lëndë me zgjedhje respektivisht këto gjuhë: provimi me zgjedhje i gjuhës angleze dhe gjuhës frënge të jetë niveli B sipas Kuadrit Europian të Referencës. Së treti, kandidatët për studentë në programet e tjera të studimit të këtij fakulteti duhet të testohen paraprakisht në gjuhët që nuk përfshihen në lëndët me zgjedhje (gjermanisht, italisht, greqisht, rusisht, spanjisht, turqisht) dhe të pranohen ata studentë që kapin nivelin B të gjuhës po sipas Kuadrit Europian të Referencës.
Publikimi
Ministria e Arsimit, pas marrjes së propozimeve nga universitetet publike të vendit për koeficientët për pranimet në shkollat e larta, do të publikojë se sa do të jenë ato për këtë vit. Burime zyrtare nga zyra e shtypit pranë MASH-it bënë të ditur para pak ditësh për gazetën “Albania” se koeficientët duhet të dorëzohen në këtë ministri brenda datës 10 mars. Ndërkohë, po brenda këtij afati duhet të dorëzohet edhe formulari A1 nga të gjithë maturantët. Shefja e zyrës së shtypit në MASH, Ermelinda Muho, ka pohuar se pritet që këtë vit të ndryshojnë koeficientët vetëm për disa lëndë me zgjedhje siç janë lëndët Histori dhe Gjeografi, të cilat do të jepen si dy lëndë me zgjedhje të veçanta dhe do të kenë koeficientët përkatës. Këtë vit, në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për herë të parë do të jepet edhe lënda e Gjuhës frënge. Gjithashtu, këtë vit, lënda Njohuri për shoqërinë është ndarë nga blloku i lëndëve Njohuri për ekonominë dhe Filozofi, të cilat do të jepen bashkë dhe do të ketë koeficiente të reja. Aktualisht, të gjitha fakultetet në vend janë duke punuar me koeficientët dhe duke bërë përcaktimin e tyre sipas degëve përkatëse. Pritet që këto ditë të përfundojë procesi i dorëzimit të koeficientëve në MASH për t’u riparë nga specialistët e Arsimit të Lartë dhe më pas të miratohen nga Ministria e Arsimit.
Matura Shtetërore, MASH-i pohon se koeficientët do të miratohen këtë javë
Koeficientët e Maturës Shtetërore do të miratohen brenda kësaj jave. Kjo është bërë e ditur në fillim të kësaj jave nga drejtoresha e Politikave të Arsimit të Lartë, Elida Hoxha, e cila ka qetësuar të gjithë maturantët se këta koeficientë do të publikohen përpara afatit të dorëzimit të formularit A1. Elida Hoxha u shpreh: “Informacioni u është dërguar tashmë universiteteve dhe u është kërkuar atyre përcaktimi i koeficientëve si për lëndët me zgjedhje, ashtu edhe për llojin e shkollës së mesme”. Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se universiteteve u është dërguar një shkresë ku është kërkuar që këto institucione të sjellin propozimet e tyre për koeficientët. Ndërkohë, disa universitete i kanë sjellë koeficientët, si p.sh. Akademia e Fizkulturës, Universiteti Bujqësor, Universiteti i Korçës. “Ne besojmë se këto dy ditë do të marrim të gjithë informacionin që do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe më tej në shkollat e mesme”, - sqaroi Hoxha. Sipas saj, e rëndësishme për nxënësit tani është të njihen me informacionin, me koeficientet e lëndëve me zgjedhje dhe të llojit të shkollës së mesme. Në bazë të tyre, ata do të përcaktojnë lëndët që do të japin në provimet me zgjedhje, të përputhshme me degët e universiteteve që ata duan të ndjekin. Hoxha shtoi gjithashtu se MASH e AVA do të botojnë disa fletëpalosje apo broshura që do të përmbajnë tabelën e koeficientëve në mënyrë që ky informacion të shkojë deri te maturanti. Këtë vit, në listën e lëndëve me zgjedhje krahasuar me vitin e kaluar ka lëndë që janë ndarë ose shtuar. Për shembull, Histori-Gjeografi tashmë janë dy lëndë ose është frëngjishtja që është një lëndë e re me zgjedhje. Edhe një vit më parë, koeficientët e institucioneve të arsimit të lartë janë publikuar përpara afatit të dorëzimit të formularit A1.
Kule: “Universiteti i Tiranës ka nevojë për 200 pedagogë”
Fluksi në rritje i studentëve që do të pranohen në vitin e ardhshëm akademik 2008-2009 në Universitetin e Tiranës kërkon minimalisht shtimin deri në 200 të numrit të pedagogëve. Kjo është deklaruar dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka shtuar se vendimi i qeverisë për shtimin deri në 400 të numrit të pedagogëve do ta zgjidhë problemin e stafit akademik. Gjithashtu, ai tha se Universiteti i Tiranës, duke mos pasur mundësi plotësimi me pedagogë të brendshëm, ka gjithsej 950 pedagogë të jashtëm. Sipas tij, shtimi i numrit të pedagogëve të brendshëm do të përmirësojë raportin student-pedagog në fakultetet e Universitetit të Tiranës.
27 Shkurt 2008