Studimi i katërt i Hysës

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi, duke folur për historinë e popullit shqiptar, tha se populli shqiptar vazhdimisht i është nënshtruar spastrimeve etnike, të cilat i ka bërë gjatë shekujve Serbia.
“Z. Hysa ka bërë hulumtime të mëdha, ka bërë punë të madhe. Ka pasur parasysh edhe punën e madhe të Sabit Ukës, historianit e pedagogut tonë të nderuar, i cili na vdiq para ca kohësh. Unë ju rekomandoj se nëse doni t’i gjeni rrënjët në fillimet e veprimeve të organizuara të zotërisë e në përgjithësi të sllavëve kundër shqiptarëve do t’i gjeni në këtë libër dhe do të mund të informoheni në mënyrën më të thjeshtë, më të mirë, më të kuptueshme që do të mund të keni”, ka thënë ai.
Begzad Baliu, recensent i librit, tha me këtë rast se libri “Studime IV” është rezultat i një pune kërkimore-shkencore të gjatë dhe të mundimshme që kërkon kohë dhe potencial.
“Përmes analizave, dokumenteve, fakteve, konkordancës dhe diskrepancës për ngjarje dhe personalitete të shumta që kanë luajtur rol në të kaluarën e popullit shqiptar të na ofrojnë studime të tilla si kjo e profesor Hysës, ne jo vetëm se e finalizojmë dhe i rivendosim disa ngjarje dhe persona në vendin e duhur në historinë tonë, por edhe marrim informacione dhe i zgjerojmë njohuritë tona për shumë çështje që nuk i kanë trajtuar”, ka thënë Baliu.
Autori i librit, Mahmud Hysa ka folur rreth mënyrë së punës dhe vështirësive që ka pasur gjatë shkrimit të këtij libri.
“Çdo vepër që krijohet, qoftë ajo shkencore qoftë imagjinatave, njeriu e shkruan jo për veten e tij, por për të tjerët. Gjithë ndjenjat e tij të brendshme emocionale, por edhe mendimet, idetë, konceptet duhet që t’ia komunikojnë auditorit, t’i zgjerojë, t’i ndihmojë, t’i ofrojë mendimet, idetë, prandaj është puna që të tjerët të flasin e jo unë të flas për veten time”, ka thënë ai.
Ndryshe, profesor Mahmud Hysa është njëri nga studiuesit dhe pedagogët më të shquar, i cili me punën dhe veprën e tij zë një vend të nderuar në letërsinë dhe kulturën shqiptare.