Studimi kombëtar Steps për parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, nënshkruhet marrëveshja

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot se Shqipëria po forcon kapacitetet për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve jo të transmetueshme, përmes nisjes së studimit kombëtar Steps, i cili do të mundësojë monitorimin e faktorëve kryesorë të rrezikut në popullatë, sipas metodologjisë së standardizuar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Në një postim në rrjetet sociale, MSHMS njoftoi se është nënshkruar marrëveshja për fillimin e zbatimit të këtij studimi.
Sipas MSHMS-së, studimi Steps do të sigurojë të dhëna të besueshme mbi faktorët e rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme, duke mbështetur hartimin e politikave dhe ndërhyrjeve të bazuara në evidencë për përmirësimin e shëndetit të popullatës.
Ky proces do të realizohet në bashkëpunim mes Institutit të Shëndetit Publik, ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
MSHMS vlerëson se rezultatet e studimit do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për planifikimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare në fushën e parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve jo të transmetueshme.
/e.i/a.f/r.e/