Situata nga zjarret, Disha dhe Çako në malin e Dardhës

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ishin sot në malin e Dardhës për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga zjarri, ecurinë e operacionit dhe punën e strukturave të angazhuara në terren.
Disha tha se “Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me prefekturën e qarkut Elbasan dhe bashkinë Librazhd, po koordinon veprimet ndërinstitucionale dhe po mbështet strukturat operacionale me kapacitetet e nevojshme për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve”.
“Në situata të tilla, bashkëpunimi institucional dhe reagimi i koordinuar janë thelbësorë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe pasurisë sonë natyrore”, tha Disha, ndërsa shprehu mirënjohjen për punonjësit e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, strukturat e mbrojtjes civile, Policinë e Shtetit, punonjësit e bashkisë Librazhd, forcat e tjera të angazhuara dhe çdo vullnetar që po punon pa u ndalur në terren.
“Qeveria Shqiptare, përmes strukturave të sistemit të mbrojtjes civile, ka mobilizuar kapacitetet njerëzore dhe logjistike për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e komuniteteve të prekura”, vijoi ai.
Ndërsa, drejtori i AKMC-së shtoi se “Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë monitorimin dhe koordinimin e operacionit, duke qëndruar pranë strukturave vendore dhe qytetarëve deri në normalizimin e plotë të situatës. Librazhdi do ta kapërcejë edhe këtë sfidë me punë, bashkëpunim dhe përgjegjësi”.
/e.i/a.f/r.e/