Ortaku i Bares, përgjysmohet dënimi
Fatos Mahmutaj
Gjykata shqiptare përgjysmon dënimin italian për ortakun e Aldo Bares. Edmond Bego, kreu i bandës së Aldo Bares në Itali dënohet me 7 vjet burg në Shqipëri në njohje të vendimit penal italian që e kishte dënuar me 14 vjet burg. Vendimi në ngarkim të tij është firmosur një javë më parë në Gjykatën e Tiranës, ku u vendos të pranohej kërkesa e prokurorisë për njohjen dhe konvertimin e dënimit të dhënë në ngarkim të atij nga autoritetet italiane të drejtësisë. Kështu, gjykata e kryeqytetit ka vendosur të njihte vendimin penal italian të formës së prerë numër 1735, datë 22 prill 2008, të Gjykatës së Apelit, Torino, Seksioni i Parë Penal, Itali, me të cilin është Edmond Bego alias, Manoli Bega, për: prodhim, trafikim dhe mbajtja e paligjshme e substancave narkotike dhe psikotrope; organizata e formuar për trafikimin e substancave narkotike ose psikotrope, analoge të të cilave sipas Kodit Penal Shqiptar janë akuzat: Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim ose më shumë se një herë dhe organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale. Në bazë të këtij vendimi Bego është dënuar me 21 vjet burg, por aplikimi i gjykimit të shkurtuar në këtë proces i ka zbritur një të tretën e dënimit, duke vendosur që ai të vuante përfundimisht 14 vjet në qeli. Por një amnisti e vitit 2006, i ka ulur Begos 3 vjet nga dënimi. Gjykata e Tiranës duke vlerësuar këtë fakt e ka konvertuar dënimin e Begos në 10 vjet burg, ndërsa duke aplikuar uljen prej tre vitesh për shkak të amnistisë e ka dënuar biznesmenin lushnjar përfundimisht me 7 vite burg. Sipas vendimit të gjykatës vuajtja e dënimit për Begon fillon nga data 24 dhjetor i vitit të kaluar, e cila është dita e arrestimit të tij, ndërsa dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Edmond Bego, personi që drejtonte gjysmën e bandës së Lushnjës në aktivitetin e saj kriminal në Itali u prangos në Tiranë në dhjetor të vitit të kaluar. Personi i konsideruar si "vartësi" i Aldo Bares, nga fshati çermë Sektor i Lushnjës u arrestua në bazë të masës së sigurisë të vendosur në ngarkim të tij nga Gjykata e Tiranës, bazuar në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Torinos në Itali. Sipas vendimit italian, Bego, i cili gjatë viteve 2002-2004 ka qenë edhe presidenti i futbollit të Lushnjës, qëndronte në krye të një bande kriminale prej 27 anëtarësh, e cila kontrollonte trafikun dhe shpërndarjen e narkotikëve në zonën e Torinos. Droga nisej nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa sipas Gjykatës italiane, Bare ishte personi që e postonte narkotikun nga Laguna e Karavastasë, kurse Bego ishte pritësi në brigjet italiane. Ndërkohë, burime nga Policia e Shtetit pohuan në momentin e arrestimit se Bego dhe Bare kanë lidhje familjare, çka e bënte bandën e drejtuar prej tyre shumë më të rrezikshme në krahasim me grupet e tjera kriminale të shqiptarëve në Itali. Policia e kryeqytetit tha pas arrestimit seBego kishte arritur të fshihej për shumë vite, nën emrat e rremë Manoli Bega, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari. Prej disa kohësh ai ishte identifikuar prej policisë dhe ishte vënë në survejim, ndërsa autoritetet italiane të drejtësisë kishin dërguar në Tiranë vendimin e dënimit të tij. fa.ma.