Studimi, shqiptarët nuk ushqehen me kripë të jodizuar
Shqipëria duket se vazhdon të mbetet vend me pamjaftueshmëri jodike të lehtë, sidomos në zonat e brendshme malore, dhe pas futjes së përdorimit të kripës së jodizuar. Këtë pohon një studim i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit, në Institutin e Shëndetit Publik. Studimi me temë "Vlerësimi i Prevalencës Kombëtare të pamjaftueshmërisë jodike te fëmijët dhe gratë shtatzëna, pas futjes së kripës së jodizuar", përfshiu 4 zona të ndryshme gjeografike, 840 fëmijë të moshës 6-13 vjeç dhe 365 gra shtatzëna. Ai synoi të përcaktonte prevalencën e gushës dhe përmbajtjes së jodit në urinë (UI) në fëmijët e shkollave, nivelin e jodit tek gratë shtatzëna, përqendrimin e jodit në kripë etj. Prania e gushës u përcaktua me palpim dhe ultrasonografi, duke përdorur teknikat e rekomanduara nga WHO/ICCIDD. Sipas specialistëve, studimi bëri vlerësimin e jodit në urinë dhe në kampionet e kripës së grumbulluar në nivel familjeje. Ndërsa një pyetësor mbi të dhëna të përgjithshme të fëmijëve, dietën e tyre javore dhe historinë familjare, lidhur me pamjaftueshmërinë jodike, u plotësua nga ana e prindërve.