E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi/Popullsia shqiptare në Maqedoni, shumë më e re sesa ajo me prejardhje sllave

31-07-2012 / Gazeta 55

Që shqiptarët janë “eliksiri” i rinisë, shihet edhe në rajonin e Pollogut, i cili dominohet nga popullsia e re, ajo e grupmoshës 20-24 vjeçare, por edhe ku lindjet janë dyfish më të larta sesa në rajone të tjera. Rajoni Lindor dhe ai i Vardarit dominohet nga banorë me moshë dyfish më e vjetër (50-54 vjeçare), por edhe ku lindjet janë dy herë më të vogla

Popullsia e moshës së mesme është edhe ajo që përbën edhe grupmoshën me numrin më të lartë të personave në qytete kryesore dhe fshatra që dominohen nga banorë të etnisë maqedonase. Në qytete si Gjevgjelia, Koçani, Kavadari, apo edhe Bogdanci, Vevçani e të tjera, grupmosha me numrin më të madh në këto zona është ajo e moshës 50-54 vjeçare. E kundërta ndodh në qytetet, e sidomos në fshatra me shumicë shqiptare, ku grupmosha me numrin më të madh është ajo 15-19 vjeçare dhe 20-24 vjeçare. Rekordin me numrin më të madh të popullsisë e mban Studeniçani, ku popullsia me numrin më të madh është ajo e moshës 5-9 vjeç, mbi 1900 persona. Shifrat janë bazuar në një prej publikimeve më të fundit të Entit të Statistikave për vitin 2011, ku jep një klasifikim të detajuar të popullsisë, sa i takon numrit të çdo grupmoshe, të ndarë sipas komunave dhe rajoneve. Që shqiptarët janë “eliksiri” i rinisë, shihet edhe në rajonin e Pollogut, i cili dominohet nga popullsia e re, ajo e grupmoshës 20-24 vjeçare, por edhe ku lindjet janë dyfish më të larta sesa në rajone të tjera, ndërsa rajoni Lindor dominohet nga një popullsia dyfish më e vjetër, grupmosha 50-54 vjeçare. Për shembull, gjatë vitit të kaluar, në Pollog janë regjistruar mbi 3500 lindje, ndërsa në zonën e Vardarit që dominohet nga popullsia 40-44 vjeçare dhe në rajonin Lindor, përkatësisht me nga 1500 lindje. Komunat me popullsia të re, me grupmoshën dominuese 15 -19 vjeç, janë ato të Haraçinës, Likovës, Zhelinës e të tjera, ndërsa komunat që kanë numrin më të madh të banorëve me moshë 20-24 vjeçare janë Gostivari, Kumanova, Saraji, Tetova, e të tjera. Kjo e fundit numëron edhe mbi 1000 lindje, shifër kjo shumë më e madhe sesa ajo që regjistrohet në qytete të tjera me numër të përafërt popullsie me të. Alarmi për plakjen e ngadalshme, por të sigurt të popullsisë jepet herë pas herë, si pasojë e disproporcionit mes mortalitetit dhe natalitetit. Në regjistrat zyrtarë, më shqetësuese janë të dhënat që kanë të bëjnë me fshatra që janë të dominuara nga popullsia maqedonase, të cilat sipas ritmeve negative të natalitetit, janë të destinuara që pas jo më shumë se një dekade - të shkojnë drejt zhdukjes. Gjatë dekadës së fundit, shkalla e natalitetit është ulur deri në 11.1 promilë, ndërsa mortaliteti është rritur duke shkuar nga 8.3 promilë në vitin 2001 deri në 9.5 promilë vitin e kaluar. Në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, jetëgjatësia e një banori të Maqedonisë është edhe më e ulta krahasuar me vendet e tjera, jo më shumë se 72 vjeç për burrat dhe 77 për gratë, ndërkohë që për vendet e tjera jetëgjatësia i kalon 83 vjeçët.
Në komunat e Shkupit, për shembull, për Komunën e Çairit nuk mund të përftohen statistika të sakta. Pasi për herë të parë Enti në publikimet e saj të dhënat i ka përgjithësuar nën grafën “Shkup pjesa e mbetur dhe Sopishte”, që në sqarimin përkatës shkruan se përfshin Komunat e Çairit, Butelit, Aerodromit, Kisella Vodës, Qendrës, Shuto Orizares janë së bashku. Për rrjedhojë, nuk mund të specifikohet se cila prej grupmoshave të popullsisë dominon në Çair, apo në Qendër. Por në këtë grupim me më shumë komuna, mund të mësohet se mosha që dominon është ajo 30-34 vjeçare. Komuna e Karposhit është veçmas dhe sipas të dhënave popullsia dominuese është jo 40-44 vjeçare.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›