E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Heqja e imunitetit, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”

31-07-2012 / Gazeta 55

Presidenti Bujar Nishani takon kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Eugen Vollfarth

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi dje takimin e parë si kryetar i shtetit me kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Eugen Vollfarth. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e shkëlqyer që OSBE ka dhënë për Shqipërinë dhe institucionet e saj në procesin e tyre të reformimit dhe të zhvillimit demokratik.
Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e OSBE-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me ODIHR-in dhe ekspertët e tij në kuadër të reformës zgjedhore, e cila u përmbyll me sukses  gjatë këtij muaji. Presidenti nënvizoi gjithashtu kontributin personal të Ambasadorit Volfart dhe vlerësoi rolin e tij për gjetjen e konsensusit politik, si në rastin e reformës së Kodit Elektoral dhe vijimin e punës për projektligjin për heqjen e imunitetit.
Presidenti Nishani shprehu bindjen se OSBE do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me institucionet shqiptare për të forcuar shtetin e së drejtës dhe demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve të vendit, brenda mandatit të Prezencës së saj në Shqipëri dhe garantoi gjithashtu bashkëpunimin e tij institucional në këtë drejtim.
Ambasadori Vollfarth vlerësoi zhvillimet e shpejta që Shqipëria ka bërë në fushën e reformave dhe demokratizimit të institucioneve dhe shprehu besimin se institucionet dhe politika shqiptare do të vazhdojnë në këtë rrugë edhe sa i përket projektligjit për heqjen e imunitetit, i cili do t’i shërbejë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidenti Nishani vuri theksin në konsolidimin e sistemit gjyqësor si një sfidë vendimtare për vendin.
Kryetari i Shtetit e siguroi Kreun e Prezencës së OSBE-së për bashkëpunimin e ngushtë të Tij me të gjitha institucionet shtetërore, politike dhe shoqërinë civile në mënyrë të hapur dhe transparente për të dhënë kontributin e Tij institucional në zhvillimin demokratik dhe funksionimin efikas të institucioneve demokratike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›