E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali/ Personat që kanë aplikuar në shkurt, nuk kanë marrë ende kartat

Minibashkitë ankohen për Ministrinë e Brendshme se nuk u dha informacion të saktë për aplikimet
Afati i aplikimit për pajisjen me letërnjoftimet elektronike ka filluar numërimin mbrapsht, por në shumë njësi bashkiake ka patur probleme serioze, përmirësimi i të cilave tashmë është i pamundur. Teksa kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i procesit të aplikimit për letërnjoftimet elektronike, në njësitë bashkiake të Tiranës ka ende persona që paraqiten çdo ditë për të mësuar mbi fatin e kartave, për të cilat kanë aplikuar që në muajin Shkurt. Ministria e Brendshme bën vazhdimisht thirrje që qytetarët të paraqiten pranë qendrave të aplikimit për të aplikuar dhe për të tërhequr kartat e identitetit, të cilat duhet të bëhen gati për çdo aplikant, jo më shumë se 2 javë pas aplikimit. Por në njësinë bashkiake nr 1 mësohet se janë 300 persona që kanë aplikuar që në muajin shkurt, dhe letërnjoftimi i tyre elektronik ende nuk është bërë gati. Kështu, prej 5 muajsh, këta persona sorollaten çdo ditë zyrave të aplikimit për të marrë kartën, por një gjë e tillë nuk u është mundësuar ende, për shkak se nuk janë sjellë akoma në këto minibashki nga firma që ka marrë përsipër bërjen e tyre.
Ndërkaq, të pyetur nga gazeta SOT, drejtues të minibashkive në kryeqytet pohojnë se procesi i aplikimit për kartat e identitetit ka pasur shumë probleme serioze. Një nga këto probleme mbetet mosinformimi i saktë i tyre, nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë që afati i aplikimit të qytetarëve për letërnjoftimet elektronike skadon në 18 qershor, shumë prej votuesve nuk janë pajisur akoma me këtë mjet, gjë e cila do ti pengojë këta persona për të votuar forcën e tyre politike në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit. Numri i personave që kanë aplikuar për karta identiteti në minibashkinë numër 1 ka arritur në 20500 aplikantë ku 7200 e këtyre aplikantëve janë pa pasaportë, ndërsa në minibashkinë numër 2 numri i tyre ka arritur në 30537, dhe vetëm 24313 e këtyre aplikantëve i kanë tërhequr kartat e identitetit. Ndërsa në minibashkinë numër 10, ku kryetar i saj është kandidati i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, numri i aplikimeve për letërnjoftimet elektronike ka arritur mbi 14000 aplikantë, dhe është për tu evidentuar fakti se kjo është e vetmja minibashki e cila nuk ka hasur asnjë problem për aplikimin dhe pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Problemi më serioz që shqetëson pjesën më të madhe të minibashkive të kryeqytetit është mosinformimi i tyre nga ana e operatorëve shpërndarës të vendosur nga firma e cila fitoi tenderin e pajisjes dhe shpërndarjes së këtyre letër njoftimeve, ku sipas drejtuesve të pushtetit lokal këta operatorë njoftojnë dhe raportojnë tek Ministria e Brendshme, dhe kjo e fundit nuk ka sjellë asnjëherë raporte të sakta për numrin e personave të cilët kanë aplikuar dhe janë pajisur me karta identiteti. Sipas tyre në raportin që Ministria e Brendshme ka nxjerrë në muajt Shkurt dhe Mars nuk korrespondon me numrin real të personave të cilët nuk e kanë bërë këtë aplikim. Ministria e Brendshme në raportin që ka nxjerrë për njësinë bashkiake numër 2, për muajin Shkurt, thoshte se numri i personave që nuk kishin aplikuar për karta identiteti ka qenë 9000, ndërsa në muajin Mars raportonte se numri i këtyre personave ka arritur në 6000, sipas një përllogaritjeje del që numri i personave që aplikonte brenda 1 dite në këtë minibashki të ishte 100 persona, dhe duke marrë dhe muajt e tjerë që kanë kaluar duhet të kishte mbaruar procesi i aplikimit për karta identiteti, në këtë njësi bashkiake. Sipas drejtuesve të minibashkive, aplikimi për letërnjoftimet elektronike është në vazhdim e sipër, por pajisja me letërnjoftime e të gjithë votuesve është një mision gati i pamundur brenda afatit të vendosur nga qeveria, sepse pjesa më e madhe e personave që janë pajisur me këto letërnjoftime janë personat të cilët kanë pasaportë. Sipas një urdhri të nxjerrë nga qeveria, aplikimi për letërnjoftime i personave të cilët disponojnë pasaportë do të fillonte mbas datës 18 qershor, por vihet re se ky rregull është thyer me qëllimin që Ministria e Brendshme dhe qeveria të raportojnë shifra të larta për numrin e personave të cilët kanë aplikuar për këto karta identiteti. Sipas drejtuesve të këtyre minibashkive ky problem do të dalë në dukje ditën e votimeve, sepse numri i personave të cilët nuk janë pajisur akoma me karta identiteti do të jetë shumë i madh dhe këta do të evidentohen në 28 qershor sepse nuk do të kenë mundësi për të votuar. Juristi i minibashkisë numër 2 Taulant Kullolli është shprehur i pakënaqur për mos informimin nga ana e operatorëve shpërndarës , për numrin e saktë të aplikimeve, ndërsa reagimi i operatorëve ishte se ata të dhënat e tyre ja raportonin vetëm Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›