E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Institut për Studimin e Krimeve Komuniste



Qeveria shqiptare është e vendosur të zbardhë periudhën e errët të historisë kombëtare, atë të diktaturës komuniste, krimet kundër njerëzimit. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje se në emër të qeverisë do t’i kërkojë Parlamentit krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri, ngritjen e muzeut të krimeve dhe dhunës komuniste, por dhe ndërtimin e një obelisku për nder të viktimave të diktaturës. Duke sjellë në vëmendje barbaritë e luftës së klasave, Berisha përmendi se "u ekzekutuan me gjyqe dhe pa gjyqe mijëra qytetarë shqiptarë, u burgosën në gulaget më të tmerrshme në Evropë dhjetëra dhe mijëra të tjerë, si dhe u internuan dhjetëra e mijëra burra, gra dhe fëmijë, të cilët jetuan dhe punuan në territore të rrethuara me tela me gjemba në kushte të mjerimit ekstrem". Po dje, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin që i propozon Parlamentit ngritjen e obeliskut në nderim të viktimave të sistemit komunist. Kryeministri udhëzoi ministrin e Kulturës të hapë konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e arkitektëve më të njohur evropianë e botërorë për ngritjen e obeliskut që do të vendoset para piramidës së ish-diktatorit. Duke folur për krimet e komunizmit, kreu i qeverisë theksoi se "Shqipëria nuk ka zgjedhur hakmarrjen, pasi kjo nuk do të ishte gjë tjetër, vetëm rrezikim për ripërsëritjen e asaj që ka ndodhur". "Por e vërteta është se nuk kemi zgjedhur as drejtësinë. Ka vende që kanë zgjedhur drejtësinë, por ne si me ligjin e lutsracionit, edhe me të gjitha vendimet dhe ligjet e tjera që do të ndërmerren, kemi zgjedhur më së shumti një kufizim të përkohshëm të të drejtave të asaj kategorie që kanë qenë të përfshirë", - vijoi më tej Kryeministri Berisha. Lidhur me objektin e institutit që do të krijohet, Kryeministri Berisha theksoi se "ai ka si qëllim edukimin, si dhe të ndihmojë shoqërinë për ruajtjen e kujtesës për një nga të këqijat më të mëdha që përjetoi në historinë e saj". "Shqiptarët përjetuan një sistem antikombëtar, antinjerëzor dhe antidemokratik që i kushtoi në kohë moderne një çmim të jashtëzakonshëm në jetë njerëzore dhe në dinjitet", - tha Kryeministri Berisha. Krahas ligjit për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, ai njoftoi se "data 20 shkurt do të shpallet dita e nderimit të viktimave të sistemit komunist". "Mund të ishin data të tjera, por u vendos për datën 20 shkurt, pasi kjo ishte data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajën të përmbysin realisht bustet e gjalla dhe të vdekura të diktaturës. 20 shkurti është dita që e bëri Shqipërinë me opozitën e vërtetë, pasi nga dita e themelimit të PD-së dhe deri në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit në vetëdijen tonë të thellë ne nuk mund të konsideroheshim një opozitë e vërtetë", - tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, më 20 shkurt 1991 u përgatit një grevë e pashembullt në historinë e vendit, e cila kulmoi me përmbysjen e bustit të diktatorit. Kurse për ngritjen e muzeut, Berisha pohoi se është i domosdoshëm, pasi janë qindra e mijëra martirë pa varre dhe të shpërndarë dhe në këtë muze duhet të gdhenden emra e tyre. Berisha bëri të ditur se muzeu duhet të ndihmojë shoqërinë shqiptare të memorizojë në interesin e saj më të mirë dramën e madhe që përjetoi. “Parlamenti do të vendosë me ligj ngritjen e muzeut të krimeve dhe dhunës komuniste. Ky muze është i domosdoshëm, për ata qindra e mijëra martirë të besimit tek Zoti, të besimit tek fjala e lirë, të lirive, të cilët janë pa varre e të shpërndarë nuk dihet se ku. Një muze ku të gdhenden emrat e tyre dhe të ndërtohet me mençuri për t’u bërë një element i rëndësishëm i historisë muzeale të vendit, për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të memorizojë në interesin e saj më të mirë, dramën e madhe që përjetoi”, - u shpreh z. Berisha.

Si funksion instituti

- Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist.

- Identifikon aktet ligjore dhe jonënligjore sekrete dhe josekrete të përgatitura apo miratuar nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit në tërësi të sistemit komunist.

- Studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të Sigurisë së Shtetit.

- Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes të regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj që mbështetën ardhjen e këtij regjimi, si dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij.

- Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist.

- Evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve të autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga perëndimi, pamundësinë për të informuar, censurën në art, kulturë, shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, urisë së krijuar dhe pasojave të tij.

- Sistemon dhe boton kujtime dhe memorie të të dënuarve politikë në burgjet dhe kampet e internimit.

- Përpunon në formën elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist në Shqipëri.

- Publikon dhe përhap materiale të shkruara në letër, si dhe në rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca dhe diskutime mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri.

- Bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore, si dhe institucione të tjera, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe përvojës së lidhur me objektin e punës së institutit.

- Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve, të informacionit të mjaftueshëm mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e këtij sistemi në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›