Stuhi në komunën e Suharekës, dëme në qytet dhe fshatra
Një stuhi e fortë ka përfshirë pasditen e së hënës komunën e Suharekës, duke shkaktuar dëme materiale si në qytet, ashtu edhe në disa fshatra përreth.
Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka dalë në terren dhe ka publikuar fotografi në rrjetet sociale, ku u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të motit.
“Nga stuhia e fortë ka disa dëmtime në qytetin e Suharekës dhe fshatra me rrethinë. Apelojmë për kujdes,” ka shkruar ai.
Pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes tregojnë momentin kur erërat e fuqishme kanë shkëputur një pjesë të kulmit të një objekti dhe e kanë hedhur në ajër, duke krijuar panik tek banorët.
Deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të vlerësohen nga ekipet e komunës që do të dalin në terren.
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, stuhia ka qenë e papritur dhe ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët, sidomos për sigurinë e objekteve dhe kulturave bujqësore.
Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa për të evidentuar dëmet dhe për të ofruar mbështetje aty ku është e nevojshme.
/rtsh.al/