E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia tropikale gjunjëzon Filipinen, 189 viktima

Të paktën 189 persona janë vrarë nga një stuhi tropikale në Filipine, e cila ka sjellë përmbytje dhe ka shkaktuar zhdukjen e shumë personave të tjerë.
Lajmin e komunikojnë autoritetet lokale, sipas të cilave shumica e viktimave janë nga ishulli jugor i Mindanaos, përreth Qytetit Iligan dhe Kagajan de Oro.
Dhjetra mijëra persona janë larguar për në zona më të larta të vendit, nënvizojnë autoritetet, të cilat janë të alarmuara nga situata e rëndë.

Benito Ramos, drejtues i Agjencisë për përballimin e emergjencave kombëtare tha se lajmet janë ende në ardhje dhe se numri i viktimave mund të rritet.

Zoti Ramos deklaroi gjithashtu se niveli i përmbytjeve është rritur në mënyrë alarmante gjatë natës, teksa njerëzit ishin duke fjetur.

Zona të gjera kanë mbetur pa energji elektrike dhe disa fluturime të brendshme janë pezulluar për shkak të erës që fryn më 90 kilometra në orë në të gjithë ishullin.

Trupat e pajetë të rreth 100 personave, shumica e të cilëve fëmijë, u gjetën në Kagajan de Oro, ndërkohë që një rrëshqitje toke në lindje të ishullit vrau të paktën pesë persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›