Stuhitë vrasin në Evropë
Kryeministri francez, Fransoa Fijon, ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme
të Qeverisë. Ai e ka konsideruar stuhinë si një katastrofë kombëtare. Një
milion shtëpi në Francë raportohet të kenë mbetur pa energji elektrike,
publikon radio Evropa e Lirë.
Presidenti Nikolla Sarkozi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bris Ortefe,
planifikojnë ti vizitojnë zonat e rrezikuara. Ministria e Financave ka
njoftuar se gjatë 2010-ës do tua ulë taksat të prekurve nga stuhia.
Në Spanjë dhe Gjermani, nga stuhia kanë humbur jetën 3 njerëz, ndërkaq në
Portugali ka vdekur një fëmijë.
Në Belgjikë, e cila po ashtu është prekur nga stuhia, ka humbur jetën një
person.
Edhe pse në Britaninë e Madhe nuk kishte stuhi, lumenjtë kanë dalë nga shtrati,
ndërsa valët e mëdha kanë përmbytur shumë qyteza në brigjet e Oqeanit Atlantik.
Në Zvicër ka pasur erëra të forta, të shpejtësisë 160 kilometra në orë, por nuk
janë shënuar viktima.
Për shkak të stuhisë, në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, janë anuluar 200
fluturime. Në dy aeroportet kryesore të Parisit janë anuluar mbi 100 fluturime,
përderisa janë shënuar vonesa të shumta në nisjen e trenave.
Në Pirineje dhe në Alpet jugore është rritur rreziku i ortekëve, për shkak të
erërave që kanë arritur shpejtësinë madje edhe në 200 kilometra në orë.