E Diel, 1 Nëntor 2026

Stuttgart, beson në mrekulli

E teta e finales të Ligës së Kampionëve vazhdon me ndeshjet e fundit, që zhvillohen të mërkurën mbrëma. Kampioni në fuqi, Barcelona, pas fitores 3:0 në shtëpi ndaj Valencias, do të mundohet ta eliminojë Stuttgartin, me të cilin barazoi 1:1 në ndeshjen e parë që u zhvillua 3 javë më parë në Gjermani.

Katalunasit do të mbështeten në njeriun kryesor të tyre, Lionel Messi, i cili këtë sezon ka realizuar 29 gola, në të gjitha kompeticionet. Barcelona i ka mposhtur klubet gjermane 8 herë në Camp Nou, ndërsa ka fituar 15 herë ndaj tyre në përgjithësi.

“Messi është më i miri në botë. Ajo çka sjell ai me talentin e tij, e ngre atë lart. Messi mund të bëhet futbollisti më i mirë në histori”, ka thënë portieri i Barcelonës, Victor Valdes.

Klubi spanjoll gabon rrallë në shtëpi. Megjithatë, kampionët e Spanjës këtë sezon u befasuan nga klubi rus, Rubin Kazan. “Nëse nuk e jep 200-përqindëshin, mund të jesh jashtë këtij kompeticioni. Ne kemi nevojë t’i mbushim bateritë dhe të jemi të gatshëm. Nuk guxojmë ta lëshojmë këtë mundësi”, ka shtuar mbrojtësi i Barçës, Daniel Alves.

Stuttgarti nuk e ka kaluar asnjëherë këtë fazë. Ky ekip ka humbur 3:1, pikërisht nga Barcelona, në vitin 2007. Bayern Munich ishte ekipi i fundit që arriti të fitojë në Camp Nou në vitin 1998.

“Ne duhet të jemi kompakt dhe agresivë. Ne do t’i kemi mundësitë tona, e di atë, por duhet të jemi syhapur dhe të kujdesshëm edhe prapa”, tha mesfushori i Stuttgartit, Aleksandr Hleb, që është pronë e Barcelonës.

Stuttgart do të llogaritë në sulmuesin e rrezikshëm, Cacau, që shënoi një gol në ndeshjen e parë. Klubi gjerman kishte dominuar në pjesën e parë të ndeshjes së parë, por ata lëshuan disa raste të mira.

“Është absolutisht e mundshme ta kalojmë turnin nëse mund ta shfaqim për 90 minuta paraqitjen që e bëmë në 45 minutat e parë në ndeshjen e parë. Fitorja në Barcelonë do të ishte suksesi më i madh në karrierën time si trajner”, nënvizoi trajneri i Stuttgartit, Christian Gross.

Përballja tjetër e së mërkurës është ajo ndërmjet Bordeaux e Olympiacosit. Francezët kanë kapital, pasi fituan në Greqi me rezultat 1:0, në ndeshjen e parë. Ata do të ishin të kënaqur edhe me një barazim, gjë e cila nuk vlen për klubin grek.

Liga e Kampionëve

E teta e finales – E mërkurë
Barcelona – Stuttgart 20:45
Bordeaux – Olympiakos 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›