E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, pa konkurrencë

Në bazë të përforcimeve të bëra në prag të fillimit të garave të play-off-it në Superligën e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina është favorit për ta fituar edhe në këtë edicion titullin e kampionit.

Këtë vlerësim e kanë dhënë disa nga njohësit e basketbollit kosovar, të cilët vetëm për një gjë ende nuk janë të sigurt – se cila skuadër do të luajë në finale përballë bardhekaltërve, Trepça apo Bashkimi

Në gjysmëfinale të play-off-it pritet që Sigal Prishtina të luajë dy ndeshje kundër Pejës në shtëpi, kurse një do ta zhvillojë si mysafire. Andaj, trajnerët kosovarë kanë përjashtuar mundësinë që pejanët të bëjnë mrekulli, përkatësisht t’i eliminojnë prishtinasit.

Ndërsa, sipas të gjitha gjasave, Trepça në gjysmëfinale do t’i zhvillojë dy ndeshje në shtëpi ndaj Bashkimit, kurse një si mysafir. Sipas trajnerëve kosovarë, përparësia e terrenit mund t’i kalojë ‘Xehetarët’ në finale, edhe pse nga kualiteti Bashkimi është më i mirë.

“Sigurisht që përforcimet e Prishtinës duhet të jenë lojtarë kualitativë, sepse Prishtina i ka marrë për një kohë më të shkurtë dhe do t’i paguajë më mirë”, tha për Express, trajneri i njohur kosovar, aktualisht i papunë, Jeton Nixha.

“Për nga cilësia, Bashkimi dhe Trepça janë më afër Prishtinës, por jo edhe Peja. Trepça ka përparësinë e terrenit, kurse Bashkimi ka përparësi në cilësinë e lojtarëve, andaj Bashkimin e shoh në finale”, shtoi Nixha.

Ndërsa, ish-trajneri i Bashkimit, Naser Oskaçek mendon se kampion aktual, Sigal Prishtina në finale përballë do ta ketë Trepçën.

“Sigal Prishtina është favorit për titull, sepse ka një ekip me lojtarë vendorë të kompozuar mirë dhe kësaj do t’i ndihmojë edhe treshja e lojtarëve të huaj. Prishtina përballë mendoj se do ta ketë në finale Trepçën, e cila po ashtu ka lojtarë më cilësorë vendorë sesa Bashkimi. Pos kësaj, Trepça do ta ketë edhe përparësinë e terrenit ndaj prizrenasve”, deklaroi për Express, Oskaçek.

Bardhekaltrit kanë bërë kërkesë në Federatën e Basketbollit të Kosovës, të hënën, për t’i regjistruar dy basketbollistët amerikanë: qendrat Nakiea Miller dhe Alex Carcamo, si dhe reprezentuesin kamerunas, alo-qendrën Gaston Essengue.

Në ditën e fundit të afatit kalimtar, Bashkimi është përforcuar me dy lojtarë maqedonas: fundorin Igor Trajkovski dhe alo-qendrën Igor Trajkovski. Portokallinjtë e kanë angazhuar edhe qendrën me status vendor, Ersid Luca.

Përpos kroatit Jure Lozançiq, Trepça të hënën e ka transferuar edhe lojtarin vendor, Besnik Azemi nga Kosova e Vushtrrisë, derisa Peja ‘fjeti’ në këtë afat kalimtar.

Kryendeshja në Prishtinë

Xhiroja e 26 e TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll do të nisë të mërkurën në Mitrovicë, me ndeshjen ndërmjet dy skuadrave të këtij qyteti, Bambit dhe Trepçës, të përforcuar. Takimi mes këtyre dy ekipeve fillon në ora 18:00, derisa një orë më vonë në Vushtrri zhvillohet takimi tjetër ndërmjet Kosovës dhe Kolegjit EuroSport. Po të mërkurën në ora 19:00, në Prizren bashkimi i përforcuar do të ballafaqohet me Dritën e Gjilanit.
Ndërsa, derbi i kësaj xhiroje zhvillohet në kryeqytet, të enjten, prej orës 18:00, ku lideri, Sigal Prishtina do të luajë kundër rivalit, Peja.

Superliga – Xhiroja e 26

E mërkurë
Bambi – Trepça 18:00
Kosova – K. EuroSport 19:00
Bashkimi – Drita 19:00

E enjte
S. Prishtina – Peja 18:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›