E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suarez dënohet për racizëm

Luis Suarezit i kanë kushtuar shtrenjtë fjalët raciste, të përdorura në adresë të Patric Evras. Sulmuesi i Liverpoolit e ka marrë njërin prej dënimeve më të rënda në histori të futbollit anglez. Ai është dënuar me tetë ndeshje moslojë dhe 40 mijë funte. 24 vjeçari ndihet i pafajshëm, ndërsa Liverpooli i mllefosur planifikon ankesë.

Luis Suarez është dënuar me tetë ndeshje moslojë, pasi që ka dalë fajtor për përdorim të racizmit ndaj mbrojtësit të Manchester Unitedit, Patrice Evra. Vendimi shokues i Federatës së Futbollit të Anglisë (FA) e ka mllefosur tej mase Liverpoolin, i cili ka bërë reagim të qartë. Reds e kanë mohuar faktin se sulmuesi i tyre është racist.

Kjo çështje ishte hapur javë më parë, ndërsa paneli i pavarur disiplinor i FA-së ia dha sulmuesit uruguaian njërin prej dënimeve më të ashpra në histori të futbollit anglez.

Ish futbollisti i Ajaxit ka kohë 14 ditë që të ankohet për këtë vendim. Po ashtu, 24 vjeçari është gjobitur me 40 mijë funte. Rasti i Suarezit ishte i ngjashëm me atë që dyshohej për kapitenin e Chelseas, John Terry, i cili dyshohej se kishte bërë fyerje raciste ndaj mbrojtësit të QPR-së, Anton Ferdinand.

Komisioni tre anëtarësh, i udhëhequr nga Paul Goulding QC, kërkoi kohë për ta shqyrtuar në detaje rastin, për ta dhënë më pas një mesazh të fortë që nuk do të ketë tolerime në rast të fyerjeve raciste në të ardhmen.

Thuhet se Suarez ka përdorur fjalë, duke iu referuar ngjyrës së Evras, në përballjen e 15 tetorit në Anfield Road, kur Manchester United dhe Liverpool kishin barazuar 1:1.

Suarez kishte deklaruar se në vendlindjen e tij gjuha e tillë nuk konsiderohet raciste dhe se pamjet televizive nuk tregojnë se ka përdorur fjalë aq agresive, për të cilat akuzohet. Mirëpo, paneli e ka refuzuar qartë atë argument dhe është bazuar në deklaratat e Evras.

“Sot është një ditë e vështirë dhe e dhimbshme për mua dhe për familjen time. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetje. Unë do të vazhdoj të punoj. Jam i zhgënjyer me akuzën që më është bërë për racizëm. Unë mund vetëm të them se kam respekt për secilin. Ne jemi të gjithë të njëjtë. Shkoj në fushë me iluzionin maksimal të një fëmije, i cili e shijon atë që e bën, por jo për të shkaktuar konflikt”, ka shkruar Suarez në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.

I ashpër ka qenë edhe reagimi i Liverpoolit, i cili e ka akuzuar FA-në për dënimin e rëndë që ia ka dhënë sulmuesit uruguaian. “Është një vendim i pabesueshëm dhe i fryrë. Luis nuk është aspak racist. Madje, ai edhe vetë vjen nga një familje me racë të miksuar. Gjyshi i tij ishte i zi. Ne do të ankohemi dhe kemi fakte se Suarez nuk ka bërë asnjë akt racist”, shkruan në reagimin e Liverpoolit.

Në anën tjetër, drejtuesit e Manchester Unitedit nuk kanë dashur ta japin ndonjë koment rreth këtij rasti. Suarez, i transferuar këtë vit në Liverpool, ka qenë sulmuesi kryesor i këtij ekipi. Ai do të mbetet jashtë për tetë xhiro, nëse FA nuk e dëgjon ankesën e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›