Sudani i Jugut shënon njëvjetorin e pavarësisë

Edhe pse i pasur me naftë, ujë dhe pasuri të tjera nëntokësore, shteti i ri i Sudanit të Jugut po lufton për mbijetesë.
Ndonëse pas pavarësisë shumë rajone të pasura me naftë mbetën në këtë pjesë, Sudani i Jugut nuk mund të eksportojë, sepse nuk ka mundësi t'i përdorë naftësjellësit, që kalojnë përmes Veriut . Që prej pavarësisë, Sudani Jugor dhe ai Verior nuk kanë arritur të bien dakord për përdorimin e tubacioneve që kalojnë nëpër territorin e Sudanit Verior.
Qeveria sudaneze në Khartum kërkon 36 dollarë për çdo fuçi nafte, që do të eksportohet përmes naftësjellësve në veri. Ndërsa Sudani i Jugut është i gatshëm të paguajë vetëm një dollar për fuçi. Në janar të këtij viti, Sudani i Jugut akuzoi Sudanin e Veriut se është duke vjedhur sasi të mëdha të naftës dhe ndërpreu prodhimin e saj. Që atëherë, arkat e shtetit kanë mbetur bosh, pasi 90 për qind e të ardhurave në buxhetin shtetëror sigurohen nga shitja e naftës.
Ndërkohë, niveli i inflacionit ka arritur në 19 për qind, e në të njëjtën kohë, rritja ekonomike është ngadalësuar dukshëm.