Këtë javë, temperaturat në Evropë mbi 42 gradë

Evropa pritet të përballet këtë javë me temperatura, që do të shkojnë deri në 42 gradë. Bëhet fjalë për një valë të nxehtit, që do të prekë verilindjen e Mesdheut.
Meteorologët italianë parashikojnë se deri në 15 korrik, Evropa Jugore do të përfshihet nga një valë temperaturash edhe më të larta, se sa ato që janë regjistruar deri më tani.
Java e parë e muajit korrik shënoi temperatura deri në 39 gradë, duke bërë që mijëra qytetarë t’u drejtohen plazheve.
Në kushtet kur temperaturat do të rriten në ekstrem, rekomandimi i vetëm është evitimi sa më shumë i rrezeve të diellit dhe konsumi i ujit.
Sipas meteorologëve, bëhet fjalë për valën e tretë të të nxehtit Saharian, me temperatura që arrijnë deri në 42 gradë.
Prej disa javësh, temperaturat e larta kanë prekur jo vetëm jugun, por edhe pjesën veriore të Evropës, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.