Suedia ndihmon arsimin në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Financave, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (SIDA) kanë nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi për financimin e përbashkët për përkrahje të zhvillimit të sektorit të arsimit.Sekretari i Ministrisë së Arsimit, Xhavit Dakaj, me këtë rast, theksoi se MAShT-i ka shumë donatorë që ndihmojnë proceset e arsimit në vendin tonë dhe tashmë po krijohet një mënyrë e re e bashkëpunimit, ku donatorët do të derdhin mjetet në një fond të përbashkët të shtetit tonë, i cili do të menaxhohet nga Ministria.
SIDA suedeze që është një nga donatorët e arsimit, por edhe Agjencioni Austriak për Zhvillim - AAZh (i cili shumë shpejt do të jetë nënshkrues i marrëveshjes), e kanë përkrahur këtë ide që nga fillimi, në mënyrë që të krijohet fondi i donatorëve që do të ndihmojnë realizimin e projekteve që dalin nga Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit (PSAK), thotë kumtesa e MASHT .
Përfaqësuesja e SIDA-s, Maria Melbing theksoi se Ministrinë e Arsimit e kanë mbështetur shumë donatorë deri më tani, me të cilët është dashur të merret Ministria. Ajo tha se kjo ka krijuar edhe ngarkesë dhe vlerësoi se mënyra e re e bashkëpunimit, e cila po fillon sot, do të jetë shumë më efikase./Indeksonline/