E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po t’i thirret pak kujtesës...

Procesi i deritanishëm për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës i ngjan, së paku nga forma, atyre dramave klasike me unitetin e tre elementeve: Kohës, vendit dhe interesit. Dhe, të tria këto, në të njëjtin drejtim të mbrapmë. Pa u përfshirë nga ethet e pasioneve, të entuziazmit, të mërive, apo dufeve, ndoshta do të ishte më mirë që t’i sodisnim pakëz këto elemente, duke i thirrur ca kujtesës.
Fakti që në këtë proces nuk u shpreh nga mazhoranca parlamentare, ose më saktë nga liderët e saj, vullneti politik për të hedhur një hap përpara në rrugën e integrimit nëpërmjet konsensusit me opozitën tregoi qartë që ky proces është jo vetëm shumë i debatueshëm, por edhe mjaft i kontestueshëm. Madje, përkundër asaj që ka deklaruar gjatë këtyre ditëve disa herë rresht kryeministri Berisha për të mos përsëritur mënyrën e përfitimit të mandatit paraardhës këtu e 5 vite të shkuara, prej tij dhe bashkëpunëtorëve apo aleatëve të vet në qeverisje u bë një hap mbrapa edhe nga 2002 – shi. Një hap mbrapa edhe nga atëherë, kur tek e mbramja iu njoh opozitës (pra, Berishës) e drejta për të artikuluar emrin e personit që do të zgjidhej në Kuvendin e Shqipërisë pa druajtje, ashtu siç ndodhi. Më keq, një hap mbrapa me gjithë periudhën e tranzicionit të Shqipërisë, pra të zgjedhjes së pesë presidentëve të mëparshëm, kur nuk mjaftonin 71 vota (makar edhe 73 të tilla, si në rastin e Presidentit të gjashtë) të deputetëve të Kuvendit, por nevojiteshin jo më pak se sa tri të pestat e të tërë anëtarëve të tij.
Gjithçka ndodhi me shprehjen e forcës, që buron zakonisht prej një pushteti diktatorial, i cili edhe në rrjedhën e shekullit XXI historikisht, në retrospektivë, për fat të keq të kujton të shkuarën. Të shkuarën nga ajo e afërt deri tek ajo tepër e largët, kur motoja e sistemit ishte: “Shteti jam unë!”, Motoja, në përmbajtjen e së cilës përfshihej edhe emërimi i kryetarit të atij dhe këtij shteti, edhe sfumimi i rolit të tij, edhe prodhimi për këtë punë i një kukulle çfarëdo, edhe... në rastin tonë të tashëm, kukulla duket që është shumë e konsumuar në lodra të tjera dhe pothuajse krejt e pamundur për t’u ekspozuar me dhe pa protokoll në krye të shtetit. Prandaj, edhe në seancën e fundit plenare, kur diku në hyrje të sallës priste në heshtje të thellë kutia e votimit, në emër të Kushtetutës u nëpërkëmb dhe u gris ajo. U zgjodh si President i Republikës një ministër, që nuk kishte dhënë më parë dorëheqjen nga ky post dhe kjo dorëheqje nuk mund të quhet e kryer as sot dhe as për sa ditë nuk ka firmosur dekretin përkatës Presidenti në detyrë e sipër. U zgjodh si President i Republikës një deputet që votoi për veten. U zgjodh si President i Republikës një figurë me profil të ulët politik, nëpërmjet fletëve që Komisioni i firmoste në mexhlis dhe për secilin zgjedhës veç e veç.
Në sinkron me kohën qëndron edhe vet vendi ku ngjasin këto gjëra. Në hartën e Gadishullit ballkanik dhe të një kontinenti të tërë të zhvilluar, ai edhe në rrjedhën e shekullit XXI renditet më i prapambeturi dhe me afro dy të tretat e popullsisë në kufirin e trishtë të varfërisë. Nga raportet e organizmave ndërkombëtare jepet alarmi, se 1/3 – t e familjeve shqiptare nuk janë në gjendje as të blejnë ilaçet. Dhe, sipas tyre rritja ekonomike parashikohet e zymtë, katër herë më e ulët se sa vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Ndërkohë që, në grafikët e treguesve kryesorë të zhvillimit të këtyre vendeve, Shqipëria zë vendin e fundit, krahas Bosnjë – Hercegovinës, që edhe 17 vjet pas daljes nga një luftë e egër shfarosëse ende nuk është një shtet unik. Njëherazi, vendoset me disa pikë mbrapa fqinjëve të saj më të vegjël, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Dhe, nga fqinja tjetër, Greqia, ku gjithnjë e më shumë dëgjohen zërat për ta braktisur euron dhe kthyer dhrahminë, prej selisë së Eurozonës shkon paralajmërimi: “Po vendosët kështu, do të katandiseni më keq edhe se Shqipëria”. Në këto harta pra, aktualisht Shqipëria paraqitet më pak se sa mundësitë e saj dhe aq më pak se sa shtetet europiane.
Përse ndodh kjo? Prej disa vitesh është shfaqur qartë, se kemi të bëjmë me një kastë që bën vet zotin dhe vet shkopin. Një kastë që vjedh edhe votën e lirë të popullit, edhe ajrin e tij deri në ndotje të pashembullt. Edhe tokën e Shqipërisë, edhe nëntokën e saj. Se kështu ia do interesi një grushti njerëzish, të mbajnë për vete afro 95 për qind të të ardhurave dhe vetëm 5 për qind t’ua lënë të tjerëve sa për të marrë frymë. Se kështu ia që interesi një aradheje njerëzisht, që të kapardisen si dhia e zgjebosur me bishtin përpjetë dhe t’i bëjnë të tjerët të qeshin e të qajnë. Të qeshim e të qajmë, kur vështrohen dhe dëgjohen se si pretendojnë ta kthejnë rrotën e historisë së prapthi dhe të ringjallin periudhat e një kohe që ka vdekur për gjithmonë. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë haptazi si gogozhelët, që të fyejnë ditët për diell kujtesën historike dhe t’u shtien thonjtë elitave të reja politike e qytetare edhe tani, në 100-vjetorin e shtetit shqiptar.
Por, sidoqoftë bilanci i këtyre ndeshjeve, nuk mund t’i bëjnë pafundësisht shqiptarët që ta shtyjnë kohën me lot dhe ndërmjet lotëve. Po t’i thërrasin ca kujtesës, atyre u përvijohen modelet e kthyera tashmë në standard europian. Për shembull, që në vitet ’90 të shekullit që lamë pas, në Greqi mazhoranca parlamentare e majtë zgjodhi me votat e saj në krye të shtetit kryetarin e një partie të vogël të së djathtës, Stefanopulosin e respektuar prej të gjithë bashkëqytetarëve të tij. Dhe, më pas, kur u krye rrotacioni i pushtetit ishin të djathtët ata që i hapën rrugën për President të Republikës një figure të spektrit të majtë, Papuliasit të nderuar. Kështu ka ndodhur edhe në fqinjën tjetër, Italinë, ku shumica e djathtë ka zgjedhur në majë të piramidës shtetërore një personalitet të majtë, Napoletanon me përvojë, të cilin edhe një herë të vetme kur Berluskoni guxoi ta përfliste iu vërsulën të gjithë, edhe të vetët, edhe aleatët bashkëqeverisës të tij. Së fundmi, në Gjermaninë e zhvilluar Kancelarja kristian – demokrate iu drejtua opozitës për ta propozuar kjo Presidentin e shtetit federal të tyre. Ndërsa, këta të fundit artikuluan emrin e klerikut Gauck, i cili për asnjë moment dhe nga asnjë forcë tjetër politike nuk është kontestuar. Po te ne çfarë ndodh? Çfarë ngjan edhe tani, kur nga Berlini dhe Brukseli, nga Haga dhe Kopenhageni, nga Londra dhe Parisi, nga e gjithë Europa perëndimore ku duam të përfshihemi, s’u rresht pa na u drejtuar: “Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë!”?
Mbase është pakëz herët që t’i japim përgjigje në këto radhë pyetjeve që lindin vetvetiu pas asaj maskarade gogozhelësh që na bëri përsëri të qeshim dhe të qajmë. Por, derisa të bëhen reflektimet e nevojshme me gjakftohtësi dhe mendjekthjelltësi, hë për hë mund të thuhet së paku, se shumë shpejt bumerangu do të godasë atë që e vërtiti. Sepse, koha s’mund të ndalet dhe prandaj ky përqendrim i hershëm pushtetesh nuk ka jetë të gjatë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›