E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtërzimi i pozitës

I hollë, i gjatë, me pak kurriz të dalë dhe mustaqe. Ky është identikiti presidencial. Emri: Bujar Nishani. Sponsor: Sali Berisha. Para një jave, pozita dhe opozita rreshtuan gurët për ndeshjen e shahut, që do ishte zgjedhja e presidentit. Një javë më pas gurët u luajtën. Siç pritej, u dogj Zaganjori sepse u luajt para kohe. Të dielën që sapo shkoi, u lëvizën gurët. Në tavolinë ishin dhe figurat shtesë të Ilir Metës dhe Shpëtim Idrizit. I pari për shkak të numrave që ka në parlament. Idrizi, për të relativizuar Metën. Prezenca e Metës dhe Idrizit, ishte lëvizje e cila i mundësonte Berishës të përdorte gojën e Metës për propozime ndërkohë i uli rëndësinë politike me praninë e Idrizit. Zaret u hodhën dhe e diela në darkë prodhoi një emër. E hëna në mëngjes ndryshoi gjithçka, dhe në darkën e ditës së parë të javës, Shqipëria ka atë që nuk e donte opozita pasi është thjesht një noter partiak. Nuk e donin as ndërkombëtarët, dhe mungesa e Arvizusë në procesin zgjedhor e dëshmon.
Deri tek Bujar Nishani ishte e nevojshme të kaloheshin pengesa të ndryshme. Vizita e Saninos në Tiranë, e detyroi Berishën të sillet më me kujdes e dorashka. Meqenëse pesha e kandidatëve nuk ishte e mundur të testohej në parlament, pasi hedhja e kandidaturave edhe nga opozita i jepte legjitimitetin procesit, por numrat nuk i mundësonin socialistëve që të impononin një kandidat, mbetej që receta e vitit 2002 të ishte më e mira për aplikim. Dhe me riuljen në tryezë, dukej se drejt asaj po shkohej. Opozita e kishte detyruar pozitën të bënte lojën e saj. Por nuk mund të dorëzohej Berisha. Me uljen në tryezë, u ofruan emra të cilët Rama i kishte vështirë t’i pranonte. Politikanë të djathtë; njerëz të klanit Koka; juristë të dyshuar për lidhje me Berishën apo Topallin, ishin kandidatura të vështira për tu gëlltitur nga përfaqësuesit socialistë. Ndërkohë hija e Fatos Nanos rrinte pezull mbi tryezën e bisedimeve. Hije që u tradhtua pikërisht nga njeriu që i pëlqen të vetëmburret për besë e mirënjohje; që i është borxhli më shumë se kushdo në dorëzimin e pushtetit dhe shtatë vjetët e qeverisjes së tij: kryeministri i vendit.
Fundi i ditës së hënë i solli një president Shqipërisë, por edhe humbjen morale të pozitës. Së pari sepse procesi deri në momentin e tanishëm, pavarësisht luhatjeve, në rezultat prodhoi një kandidat sipas procedurave, por më i pa imagjinueshmi për konsensus. Vetë qënia e tij ministër i Brendshëm, nuk lë shijen e pa anshmërisë dhe mirëkuptimit. Së dyti, opozita u kujdes që mos prononconte emra, dhe megjithëse hullia si shkoi tryeza ja justifikonte hedhjen e kandidatëve të saj dhe mos përmendjen e emrit të Fatos Nanos, krijoi përshtypjen e palës së prirë për konsensus. Së treti, aleanca me kohën, pritja se kundërshtari do gabojë dhe vriste veten me duart e tij, ishte taktika e rozëve, e cila dha rezultat. Për të gjithë ata që ndoqën procedurën e votimit dhe atmosferën e saj, patën më shumë perceptimin gri të prag ’97-ës kur Berisha u rizgjodh president, se atë të një vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE.
Mbyllja e procesit presidencial ishte një shtërzim i pozitës, që solli pjelljen e Nishanit. Gjithë përpjekja, nuk prodhoi asgjë në favor të objektivave të vendit. Skena politike duket më e zhveshur se kurrë në qëllimet e saj. Aleati kryesor i Berishës, Ilir Meta, dha një dëshmi tjetër të paqëndrueshmërisë së tij dhe mungesës së moralit politik. Një fillim në dukje parimor i procesit për zgjedhjen e presidentit, përfundoi akoma më keq se përzgjedhja e Topallit për presidente. Partia e rrangallave që PS ka nxjerrë në procesin e vet pastrues, mund të shërbejë deri më 2013-ën për të mbajtur në këmbë qeverisjen aktuale. Duke dëshmuar se pazaret e bllokut të famshëm të videos, janë prezente në çdo veprim dhe mendim të saj. Njëkohësisht duke zhgënjyer gjithë ata që ndoshta sinqerisht kanë besuar në një afrim të saj me Partinë Socialiste.
Vetë Berisha, fitoi një betejë e cila mund të krahasohet me atë të Pirros. Tashmë nuk i ka mbetur asnjë kredit mirësjellje që të mund ta konsumojë në zgjedhjet e 2013-ës. Me zgjedhje vendore të vjedhura nën dritën e kamerave; me ish-ministrin e tij të Brendshëm të emëruar president; me një qeveri e cila në emërimet ministrore nuk ka asnjë kriter meritokracie, por vetëm klanor; me ekonomi në krizë që sa vjen e thellohet përditë; me aleatë të paskrupullt në qendër të aferave korruptive që mallkojnë perëndinë çdo ditë që pse i ka bërë me dy duar dhe jo me katër; vetëm një çudi mund ta çojë në fitore të ardhshme. Çudi që siç e ka treguar, i vjen gjithmonë nga kutitë e manipuluara të votimit dhe e njerëzve të llojit të Ristanit.
Sa i takon Ramës, mbetet të shikojë përpara. Përplasjen që sapo iku, e menaxhoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Viti zgjedhor që po vjen, është shumë i shkurtër. Në horizont ka betejë me një kundërshtar që tashmë nuk lind nevoja ta supozosh, por e ka vërtetuar që është i pa skrupullt; i gatshëm të japë copa të vendit, interesa strategjike të tij, të bëjë aleanca me hajdutë brenda dhe krimin ndërkombëtar jashtë, vetëm të qëndrojë në pushtet. Kundër të cilit duhet një mobilizim i pashembullt se më përpara që ta heqësh nga karrigia në të cilën është salduar. Të gjitha këto, nën vëzhgimin e një presidenti të ri: Bujar Nishani. 

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›