Një president në detyrë që shfaqet si shqiptari më i vetmuar në botë
Zgjedhja e Bujar Nishanit në postin e dinjitarit më të lartë të shtetit shqiptar e kthen domosdoshmërisht vëmendjen tek presidenti në detyrë, ai që po përpiqet t’i kalojë pa vëmendje 30 ditët e fundit të investiturës, me shpresë se heshtja do ta paguajë më shumë se asnjëherë tjetër. Normalisht s’është rasti për kryqëzatë ndaj “mbretit që ra”, por flagrancën e dy ditëve të fundit s’ka pse të mos e lexojmë, si një leksion që duhet të na shërbejë të gjithëve, në detyrimin qytetar për respektimin e institucioneve, e më shumë se të gjithëve, në detyrimin e qytetarëve të parë të vendit për të bërë çmos që të jenë çdo çast si të tillë. Pardje Bamir Topi u detyrua ta përkujtonte nga larg 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, pasi 4 vjet të mandatit të tij, s’i mjaftuan për të ndërtuar staturën e shtetarit, i cili e imponon praninë e vet, si një simbol i unitetit të kombit (të paktën të popullit të Shqipërisë, për të cilin e ka edhe detyrim kushtetues). Një ditë më vonë, ai dekoroi disa personalitete të Kosovës, për ngjarjen që datën e saj e kish një ditë më herët, ndërkohë që përjetoi në vetë të parë se si politikanët, analistët apo edhe “vox-pop”-et e mediave i shmangeshin si djalli përmendjes së emrit të tij, pasi për të kishin veç krahasime jo për të qenë... Shmangia kish lidhje më shumë me respektin për të mos përmendur gjënë e mbaruar, një investiturë që s’të ofron asnjë shembull pozitiv e së cilës, për etikë mundohesh ta shmangësh nga fokusi.
Ashtu u përjetua dje investitura e Bamir Topit, në muajin e fundit të saj. Zoti Topi uroi dje Bujar Nishanin për suksese në detyrën e tij të lartë dhe mund të them me bindje të plotë se ka qenë prononcimi publik më i përkrahur i mandatit të tij presidencial. Urimi për pasardhësin ishte një konfirmim i mbramë se epokës “Topi” i ka ardhur fundi. I ka ardhur fundi, bashkë me mizanskenat që e shoqëruan atë, që nga përpjekja për krijimin e grupit bllokues në PD, për të vijuar më tej me krijimin e kauzës së përbashkët me nomenklaturën komuniste që kërkonte të ruante mazhorancën në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese e për të përfunduar tek survejimi prej kujdestari i ngjarjeve të 21 janarit dhe vota e zbardhur e 8 majit në mbështetje të Edi Ramës. E gjithë kjo trashëgimi tashmë i përket politologjisë si dhe historisë së politikës. Arsyet që e shtynë Bamir Topin ta shndërronte presidencën në një pol politik mund të kenë shumë shpjegime të karakterit privat, megjithatë prej tyre mund të nxjerrim një mësim të shpejtë e të menjëhershëm. Ai ishte dje njëri nga shqiptarët më të vetmuar në të gjithë planetin. Përballë kishim presidentin Bujar Nishani, i votuar vërtet vetëm prej deputetëve të mazhorancës, por që mori edhe simpatinë e përgëzimet e të gjithë faktorit politik në vend. Ambasadorët më të rëndësishëm në vend, barometri i vërtetë i “shëndetit politik” të Shqipërisë, si rrallëherë u treguan të pakursyer në shprehjen e konsideratës së tyre më të lartë për shtetarin Bujar Nishani. Ai që dje është me të vërtetë autoriteti përbashkues, përfaqësuesi i unitetit të kombit. Rruga e investiturës së tij është sigurisht në ngjitje, për shkak të sfidave me të cilat do të përballet institucioni i lartë të cilin ai merr në drejtim, por detyrat e larta që ka pasur në të shkuarën dhe që prodhuan ditën e djeshme simpatinë kolektive të deputetëve të Kuvendit si dhe të përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, na bëjnë shpresëplotë se momente vetmie si ato të djeshmet, që provoi presidenti në detyrë, s’kanë qenë të merituara për një shtet 100 vjeçar si shteti ynë dhe s’mund të përsëriten gjatë investiturës së Bujar Nishanit, rastësisht presidentit më të ri në historinë e shtetit dhe njeriut që do ta udhëheqë vendin në fazën kruciale të integrimit në hapësirat euroatlantike (siç kujtonte në urimin e tij, edhe ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu)