Kosova në takimet e pranverës së FMN dhe BB
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë ftuar Qeverinë e Kosovës që të marrë pjesë në takimet e pranverës së këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare, që do të zhvillohen në Uashington të shtunën dhe të dielën e ardhshme. Tema kryesore do të jetë anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Kosova do të përfaqësohet nga një delegacion, i cili do të drejtohet nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Ministri Shala pritet të takohet me përfaqësues të lartë të FMN-së dhe BB-së, si dhe me disa drejtorë ekzekutivë dhe guvernatorë të këtyre dy institucioneve. Delegacioni i Kosovës do të takohet edhe me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, të Shtëpisë së Bardhë, me përfaqësues të Thesarit dhe Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.